RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Osmani nesër takohet me Stoltenberg në selinë e NATO-s, para udhëtimit në Bruksel ajo takoi komandantin e FSK-së

osmani-neser-takohet-me-stoltenberg-ne-seline-e-nato-s,-para-udhetimit-ne-bruksel-ajo-takoi-komandantin-e-fsk-se

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Bruksel për vizitë zyrtare në selinë e NATO-s.

Sipas njoftimit për media, të enjten në orën 14:00, Osmani do të pritet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin do të realizojë takim bilateral.

“Pas përfundimit të takimit, Presidentja Osmani dhe Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg do t’i adresohen gazetarëve në një konferencë të përbashkët për media”, thuhet në njoftimin për media.

Gjatë vizitës zyrtare në NATO, Osmani do të ketë takim edhe me Kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiralin Rob Bauer.

Presidentja do të realizojë takime edhe me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në NATO, Julianne Smith si dhe me përfaqësues të shteteve të tjera aleate.

E para udhëtimit për në Bruksel, Osmani është takuar me komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jasharin.

Osmani në cilësi të Komandantes Supreme të FSK-së, u njoftua nga gjenerallejtënant Jashari me aktivitetet dhe zhvillimet aktuale në FSK, me theks të veçantë për procesin e realizimit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit gjatë vitit 2023 dhe rritjen e mirëqenies se ushtarëve dhe ushtarakëve të FSK-së.

“Po ashtu, Presidentja Osmani diskutoi me gjenerallejtënant Jasharin për bashkëpunimin dhe koordinimin e ngushtë me partnerin kryesor strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me shtetet e tjera të NATO-s, lidhur me çështje të sigurisë në vend dhe rajon.

Të dy ritheksuan se vizioni ynë i përbashkët është që Republika e Kosovës të zhvillojë ushtrinë e saj në përputhje me standardet e vendeve anëtare të NATO-së, për të qenë forcë e ndërveprueshme në misionet e përbashkëta me forcat aleate në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe globale”, thuhet në njoftim.

Gjatë vizitës në selinë e NATO-s, Osmani do të riafirmojë vendosmërinë e popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për avancimin e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, duke filluar me programin e Partneritetit për Paqe, forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit me aleatë, në veçanti për çështje të sigurisë, mirënjohjen e popullit të Kosovës për rolin dhe kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, si dhe përkushtimin për kontribut të përbashkët për paqe, stabilitet dhe siguri afatgjate në rajonin tonë.

Related posts

Qeveria nënshkruan me Halil Kastratin ndërtimin e mbi 100 shtëpive në veri

RTI

Arrestohen 13 persona për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në Ferizaj

admin

Taravari: Deri të premten pritet të arrihet marrëveshja finale për formimin e Qeverisë

RTI