RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Osmani: Serbia përfiton nga BE-ja më shumë se shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor

osmani:-serbia-perfiton-nga-be-ja-me-shume-se-shtetet-e-tjera-te-ballkanit-perendimor

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet ta ndryshojë mënyrën se si e ndan mbështetjen financiare në Ballkanin Perëndimor.

Ajo ka theksuar se mjetet financiare të BE-së jo gjithherë shkojnë tek ata që rreshtohen plotësisht me të.

“Ne jemi 100% në linjë me Bashkimin Evropian, në politikat e jashtme dhe të sigurisë, që jo domosdoshmërisht do të thotë se paratë e BE-së shkojnë aty ku ka rreshtim. Për shembull, janë gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor që përfitojnë nga programet, 63% të parave të dedikuara nga BE-ja i shkojnë, gjejeni cilit shtet? Atij që nuk është i rreshtuar me BE-në. Serbisë”, ka thënë ajo gjatë diskutimit “Përgjigjja ndaj ndryshimeve gjeopolitike” në Dialogun Global në Berlin.

Kur është pyetur pse Serbia përfiton në këtë mënyrë, Osmani ka thënë se duhet të pyeten liderët evropianë për këtë.

“Do doja ta kisha përgjigjen. Ndoshta kur të flisni me Macronin nesër mund ta pyesni”.

“Vetëm 46% në linjë me BE-në, ata marrin më shumë se 60% të parave të BE-së të dedikuara për Ballkanin Perëndimor. Ne pesë shtetet e tjera që jemi në linjë me BE-në marrim 30% të mbështetjes financiare. Kjo duhet të ndryshojë”, ka përfunduar Osmani.

Këtë vit, Këshilli i BE-së miratoi Planin e Rritjes për shtetet e Ballkanit Perëndimor, një instrument i ri për të mbështetur reformat e lidhura me BE-në dhe rritjen ekonomike në rajon. Në të janë të parapara gjashtë miliardë euro.

Për të marrë mbështetje në kuadër të këtyre instrumenteve, vendet e rajonit duhet të përgatisin një agjendë reformash, duke theksuar reformat që planifikojnë të ndërmarrin për të arritur qëllimet. Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet mënyrës sesi vendet e Ballkanit Perëndimor do të kontribuojnë në përafrimin progresiv dhe të vazhdueshëm me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së.

Parakushtet e përgjithshme për mbështetjen e BE-së sipas Planit të Rritjes përfshijnë mbështetjen dhe respektimin e vazhdueshëm për mekanizmat efektivë demokratikë, duke përfshirë një sistem parlamentar shumë-partiak, zgjedhje të lira dhe të ndershme, media pluraliste, një gjyqësor të pavarur dhe sundim të ligjit, si dhe garantimin e respektimit të të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat e pakicave.

Kosova dhe Serbia kanë edhe një kusht, që ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve.

Sipas vendimit të miratuar, në mënyrë që këto dy vende të përfitojnë nga Plani i Rritjes, ato duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive “me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme” në normalizimin e marrëdhënieve të tyre me qëllim zbatimin e plotë të të gjitha detyrimeve që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit dhe aneksi i zbatimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme për dialogun dhe t’i bashkohet negociatave për Marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

Related posts

“Lajm pozitiv”, thotë ambasadori i BE-së për vizitën e Macronit në Serbi

RTI

Pakistan, 28 të vrarë dhe mbi 150 të plagosur nga shpërthimi në xhami

rezart morina

Kurti, Macronit: Radoiçiç vazhdon të jetë i lirë, qeveria serbe po i frikëson e shantazhon serbët në Kosovë

admin