Presidentja Vjosa Osmani është takuar me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, me të cilin ka diskutuar për situatën e sigurisë pas sulmit terrorist në veri të vendit. Osmani ka thënë se shpreson të ketë sanksione ndaj Serbisë për shkak të përfshirjes të drejtpërdrejt në këtë sulm.
Osmani ka thënë se për sulmin terrorist ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, duhet të ketë përgjegjësi nga shteti serb.
“Presidentja ka theksuar se për këtë sulm terrorist dhe akt agresioni nga ana e Serbisë duhet të ketë përgjegjësi nga ana e shtetit serb. Ajo gjithashtu ka thënë se shpreson se pasi shtetet aleate të përfundojnë procedurat e tyre të brendshme për konfirmimin e informacioneve që kanë të bëjnë me sulmin e fundit ndaj Kosovës, do të ndërmarrin masa konkrete dhe sanksione ndaj Serbisë, për shkak të involvimit të saj të drejtpërdrejtë në këtë sulm, qoftë si shtytëse, organizatore apo lehtësuese e tij”, ka njoftuar Presidenca.
Gjithashtu aty është theksuar se ambasadori Hovenier ka shprehur edhe njëherë ngushëllime për vrasjen e policit të Kosovës.
“Presidentja, ndërkaq, ka falënderuar aleatët, në radhë të parë SHBA-të, për mbështetjen dhe solidaritetin pas vrasjes së rreshterit policor, heroit të Kosovës Afrim Bunjaku, si dhe bashkëpunimin dhe përkrahjen e institucioneve të sigurisë në këtë kohë kur po sfidohet rëndë siguria kombëtare e Kosovës”, është theksuar në njoftim.