RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

“Pa këngë, pa gëzim”

“pa-kenge,-pa-gezim”

Disa orë para se një çift palestinez të martohej, dhjetëra kolonë izraelitë dogjën sallën ku familja po bëhej gati për ceremoni. Një 27-vjeçar mbeti i vrarë, e të tjerë të pranishëm arritën të shpëtonin duke ikur nga një derë brenda sallës. Në një konferencë për Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Tor Wennesland, koordinator special për Procesin e Paqes në Lindjen e Mesme tha, të martën, se ai ishte i alarmuar nga nivelet ekstreme të dhunës, duke përfshirë një numër të madh kolonësh shumë të armatosur, që sulmojnë sistematikisht fshatrat palestineze, duke terrorizuar komunitetet, ndonjëherë në afërsi të forcave izraelite të sigurisë

(Al Jazeera) – 21 qershori supozohej të ishte një nga ditët më të lumtura në jetën e Ahmadëve*.

Disa orë para ceremonisë së dasmës së tyre, një sulm në shkallë të gjerë nga qindra kolonë izraelitë në fshatin e tyre, Turmus Aya, në Bregun e pushtuar Perëndimor, ua ktheu atyre jetën përmbys.

Omar Qattin, 27-vjeçar palestinez, baba i dy fëmijëve, u vra gjatë sulmit, ndërsa të paktën 30 shtëpi dhe 60 makina u dogjën në mes të ditës, sipas një zyrtari lokal.

“Dasma supozohej të bëhej në Turmus Aya Grand Hall. Ceremonia u anulua sepse hapësira u kthye në një sallë funerali për martirë”, tha për Al Jazeeran, daja i çiftit, 42-vjeçari Osama Ahmad*.

Në vend të kësaj, një ceremoni e shkurtër u zhvillua në shtëpinë e dhëndrit dhe ishte e kufizuar vetëm për çiftin dhe një pjesë të vogël të të afërmve.

“Asnjë këngë, asnjë gëzim”

Nuk kishte “asnjë këngë, asnjë gëzim”, tha Osama.

“Dhëndri ishte i heshtur dhe i trishtuar gjatë gjithë kohës. Ai ishte i trishtuar dhe i tronditur për shkak të skenës së tmerrshme dhe humbjes së gëzimit. Ai ishte gjithashtu i trishtuar për vendin e tij dhe për dëshmorin 27-vjeçar”, shtoi ai.

Para sulmit, dhjetëra gra nga familjet e nuses dhe të dhëndrit po përgatiteshin në një sallë të vogël, të hapur rreth një vit më parë nga familja Ahmad në oborrin e shtëpisë së tyre.

Sipas dëshmitarëve, dhjetëra kolonë thyen sallën me gurë dhe i vunë flakën duke hedhur kokteje molotovi.

“Sinqerisht, nuk e ndjeva për asnjë moment se do të mbijetonim apo do të dilnim të gjallë”, tha për Al Jazeera-n, Marwa Ahmad*, një nga gratë që ishin brenda sallës gjatë sulmit.

“Ne pamë të rinj të maskuar – ishin rreth 100 prej tyre. Ata rrethuan shtëpinë, filluan të gjuanin me gurë dhe dogjën sallën”, rrëfeu ajo.
Image

Dera e shpëtimit

Ata që ishin brenda, tregon ajo, përdorën një derë tjetër dhe arritën të hynin në shtëpi.

“Shkuam në katin e tretë dhe prej andej i përcollëm kolonët përmes kamerave. Na dogjën katër makina, njëra pas tjetrës. Pastaj një grup të rinjsh palestinezë erdhën për të na ndihmuar nga një hyrje tjetër e shtëpisë. Kolonët po përpiqeshin të arrinin tek ne nga drejtime të ndryshme, por falë Zotit, të rinjtë palestinezë arritën dhe na nxorën jashtë. Ne kaluam një gardh të lartë duke përdorur karrige. Më pas ecëm për rreth 15 minuta në rrugë malore nën pemë e gjemba derisa arritëm në një zonë të sigurt”.

Luay Ahmad*, motra e të cilit zotëronte sallën, e fëmijët e së cilës ishin brenda shtëpisë, mbërriti menjëherë pasi kolonët i vunë flakën.

“Ne pamë zjarrin, fëmijët që qanin dhe njerëzit që vraponin. Nuk mund të shihnim mirë për shkak të sasisë së tymit brenda shtëpisë. Ne i nxorëm gratë dhe fëmijët duke i tërhequr mbi një gardh 3 metra të lartë dhe më pas filluam të shuanim zjarrin”, tha Luay për Al Jazeera-n. “Ne ia dolëm të vinim zjarrin nën kontroll me ndihmën e të rinjve, por tashmë ishte shkatërruar shumëçka. Forcat zjarrfikëse mbërritën disa orë më vonë”, tha ai.

Familja humbi të paktën 81.400 dollarë kosto të sallës dhe pajisjeve brenda. Zinxhirët dhe byzylykët e arit që familja e nuses ia kishte dhënë dhëndrit ishin shkrirë të gjitha në zjarr, shtoi Luay.

“Nivele ekstreme të dhunës së kolonëve”

Në një konferencë për Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Tor Wennesland, koordinator special për Procesin e Paqes në Lindjen e Mesme, tha, të martën, se ai ishte i alarmuar nga nivelet ekstreme të dhunës, duke përfshirë një numër të madh kolonësh shumë të armatosur, që sulmojnë sistematikisht fshatrat palestineze, duke terrorizuar komunitetet, ndonjëherë në afërsi të forcave izraelite të sigurisë.

600 mijë deri në 750 mijë kolonë izraelitë jetojnë në të paktën 250 vendbanime të paligjshme dhe postblloqe në të gjithë Bregun e pushtuar Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor. Shumica dërrmuese e vendbanimeve izraelite janë ndërtuar pjesërisht ose tërësisht në tokë private palestineze.

Sulmi i kolonëve në Turmus Ayya ishte një nga më të mëdhenjtë në muajt e fundit.

Kjo është pjesë e një numri në rritje të sulmeve të koordinuara dhe të armatosura të kolonëve në Bregun Perëndimor që nga tetori, të kryera nën mbrojtjen e ushtrisë izraelite, sipas zyrtarëve palestinezë. Ato përfshijnë të shtëna, zjarrvënie, hedhje gurësh dhe sulme fizike.
Image

Rezistenca palestineze

Sulmet e kolonëve janë rritur në sfondin e një rezistence të armatosur palestineze të rishfaqur ndaj okupimit ushtarak izraelit, që për rrjedhojë janë pasuar me sulme vdekjeprurëse të ushtrisë izraelite në qytetet dhe fshatrat palestineze.

Në shkurt, qindra kolonë izraelitë kryen atë që komandanti ushtarak izraelit për Bregun Perëndimor e përshkroi si një “pogrom” në një numër fshatrash palestinezë në zonën e Nablusit, gjatë të cilit një palestinez u vra nga kolonët dhe dhjetëra shtëpi dhe makina u dogjën. Të paktën 390 palestinezë u plagosën në sulm.

Në maj, një komunitet i tërë palestinez në Ramallah u zhvendos për shkak të sulmeve të kolonëve dhe kufizimeve të ushtrisë izraelite, të cilat veprime, grupet e të drejtave të njeriut i kualifikojnë si “krime lufte”.

Në shtëpinë e familjes Ahmad, Luay ka thënë se nëse nuk do të ishte dera e brendshme që lidh sallën me shtëpinë, gratë brenda do të ishin vrarë.

“Kolonët erdhën këtu për të vrarë”, tha ai. “Ishte një situatë e tmerrshme që është e vështirë të përshkruhet. Është një ditë që nuk do ta harroj kurrë”.

*Emrat u ndryshuan për arsye sigurie.

Përktheu: Forca Jashari /koha

Related posts

Publikohet draft-statuti i Asociacionit nga FES: Flamur të veçantë, Kuvend, Kryetar…

rezart morina

KQZ-ja pranon mbi 1 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës

admin6

“S’mund të ketë armëpushim të përhershëm, pa u shfarosur Hamasi”- Netanyahu i vendosur: Kushtet e Izraelit për t’i dhënë fund luftës janë…

admin