RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Pa marrëveshje për depërshkallëzimin e veriut

pa-marreveshje-per-depershkallezimin-e-veriut

Nuk është gjetur një zgjidhje për t’i dhënë fund përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës, as në takimet e ndara që Josep Borrel ka realizuar me kryeministrin Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Megjithëkëtë, Borrelli ka theksuar se është arritur pajtimi për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në komunat veriore, me pjesëmarrjen e plotë të serbëve.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se në takimet e zhvilluara veç e veç të enjten në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është arritur pajtim për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore të Kosovës, të banuara kryesisht me serbë.

Duke folur në një konferencë për media, pas më shumë se katër orë bisedimesh rreth menaxhimit të krizës në veri, që nuk e prodhuan edhe një takim trepalësh, Borrelli ka thënë se palëve u janë kërkuar hapa konkretë për kthim në procesin e normalizimit.

“Duhet t’i kthehen procesit të normalizimit. BE-ja ishte e qartë, nevojiten hapa të vendosur, po kështu mendon edhe SHBA-ja. Mjerisht kemi qenë dëshmitarë të së kundërtës. Lajçaku dhe unë kaluam katër orë me Kurtin dhe Vuçiqin. Ishin takime të ndara me liderët, që të provojmë të gjejmë një rrugë përpara”, ka thënë ai.

Borrelli ka bërë të ditur se nga Kosova është kërkuar që kryetarëve të rinj të komunave në veri t’u mundësohet që t’i ushtrojnë detyrat e tyre jashtë objekteve komunale dhe që policia të tërhiqet nga këto objekte. Ai ka thënë se njëkohësisht duhet të tërhiqen edhe protestuesit dhe që më pas të ketë zgjedhje të reja, me pjesëmarrje të plotë të serbëve. Sipas tij, Serbisë i është kërkuar lirimi i menjëhershëm i tre policëve të kidnapuar të Kosovës.

Kryeministri Kurti në një adresim për media ka shprehur gatishmërinë për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme lokale, por “në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës”. E Vuçiqi ka thënë se është i gatshëm për bisedime të tjera me ndërmjetësuesit e BE-së, porse ka shtuar se takimi me Kurtin “nuk ka kuptim”.

Borell: Palët duhet t’u përmbahen detyrimeve

Përfaqësuesi i lartë i BE-së ka thënë se në takimet që i ka pasur të enjten me kryeministrin Kurti dhe me presidentin serb, Vuçiq, palëve u është rikujtuar edhe nevoja për zbatimin e detyrimeve nga marrëveshjet e fundit.

“Takimi i sotëm nuk u fokusua shumë në çka, por në atë se si dhe kur, si të qetësohet situata në terren, si të organizohen zgjedhje të reja dhe si të kthehen në dialog dhe të zbatojnë të gjitha detyrimet e dialogut, në veçanti marrëveshjen e fundit në rrugën e normalizimit”, ka thënë ai.

Borrelli ka bërë të ditur se në bisedimet me Kurtin, të mbajtura së bashku me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, është ritheksuar kërkesa që kryetarët e rinj shqiptarë, të zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat veriore të Kosovës, të punojnë nga objektet alternative e jo nga ato komunale në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin-Potok.

Situata në veri është tensionuar pasi serbët lokalë e kundërshtuan me protesta vendimin e Qeverisë për vendosjen më 26 maj të kryetarëve të rinj nëpër objektet komunale, nën shoqërimin e policisë.

Borrelli ka numëruar edhe detyrat që duhet t’i kryejë secila palë, në funksion të shtensionimit të situatës.

“Për Kosovën, që menjëherë të pezullojë operacionet policore në ndërtesat e komunave në veri dhe që katër kryetarët e komunave përkohësisht t’i kryejnë detyrat jashtë zyrave komunale. Serbia të sigurojë që protestuesit të largohen nga ndërtesat e komunave njëkohësisht me largimin e policisë së Kosovës”, ka theksuar Borrelli, teksa ka shtruar nevojën që në zgjedhjet e reja të ketë pjesëmarrje të serbëve pa kusht. “Kjo është rrënja e problemit dhe rrënja e zgjidhjes – zgjedhje të reja sa më parë me pjesëmarrje të plotë”, ka thënë ai.

Bisedimet e së enjtes në Bruksel janë mbajtur pak ditë pas kidnapimit më 14 qershor të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe në brendi të territorit të Kosovës, në një veprim që ka rritur tensionet mes dy vendeve. Kosova ka akuzuar Serbinë për rrëmbim të policëve përbrenda kufirit të saj, teksa Beogradi zyrtar ka pretenduar se ata janë arrestuar brenda territorit të Serbisë.

Përkitazi me rastin, Borrelli ka thënë se i ka kërkuar presidentit serb lirimin e menjëhershëm dhe të pakushte të tre policëve të Kosovës. Kidnapimit të policëve kosovarë i ka paraprirë arrestimi i serbëve të dyshuar për sulmet ndaj Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve gjatë protestave në komunat veriore. Arrestime janë bërë edhe pas kidnapimit.

Por, për arrestimin e tyre Borrelli ka thënë se “nuk mund të ketë mosndëshkim për autorët e dhunës”. Ai ka theksuar se misioni i BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, do të vëzhgojë nga afër trajtimin e personave të arrestuar lidhur me dhunën gjatë protestave.

“Arrestimet arbitrare dhe keqtrajtimi i të burgosurve është krejtësisht i papranueshëm”, ka thënë Borrell.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së ka bërë të ditur se do të jetë në kontakt të ngushtë me të dyja palët gjatë ditëve në vijim dhe se do të raportojë te ministrat e jashtëm të BE-së të hënën lidhur me atë se “ku qëndrojmë dhe ku duhet të shkojmë”.

Kurti: Policia nuk mund të tërhiqet pa u tërhequr ekstremistët

Kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë e Kosovës për organizimin e zgjedhjeve të reja në veri, si dhe për tërheqjen e policisë nga objektet komunale në katër komunat veriore, porse vetëm “pasi që të plotësohen kornizat ligjore për to”.

“Për zgjedhjet e parakohshme jemi të hapur, por duhet të kenë zgjidhje ligjore. Nuk mund të bëhen jashtë ligjit. Siç e parasheh ligji, ta zëmë, me nënshkrime të qytetarëve, që t’ia përfundojnë mandatin një kryetari. Kjo është një zgjidhje brenda ligjit. Por, nuk mund të bëjmë zgjidhje joligjore”, ka thënë Kurti. “Për bindjen time, depërshkallëzimi duhet të nënkuptojë largimin e ekstremistëve të dhunshëm, të grupeve kriminale e ilegale, që menjëherë do të përcillej me zvogëlimin e pranisë së policisë së Kosovës në ndërtesat e komunave. Ndërsa sa i përket zgjidhjes më të qëndrueshme, e kuptojmë se ka rëndësi për zgjedhje të parakohshme me proces që paraprihet nga sundimi i ligjit, kampanjë e hapur dhe fer dhe zgjedhje të lira dhe demokratike. Nuk mund të them se situata është e sigurt, për shkak të takimeve bilaterale dhe kemi paqe të qëndrueshme, por nga optimizmi i ndërmjetësit ka shenja që ditët përpara janë më të mira se ato që kemi lënë pas, por mbetet të shihet. Jam i hendikepuar, sepse nuk ka pasur takim direkt”.

Ai e ka akuzuar Vuçiqin për ikje “nga zgjidhja e mundshme” e krizës në veri, nëpërmjet refuzimit të takimit trepalësh.

Kurti ka theksuar po ashtu se në veri Policia e Kosovës po qëndron për të reaguar dhe jo për të ndërhyrë. E përkitazi me kidnapimin e policëve nga Serbia, ai ka thënë se ia ka shpalosur Borrellit dokumentet që demonstrojnë se në cilën pjesë brenda territorit të Kosovës janë kidnapuar ata, si dhe ka kërkuar reagim të ndërkombëtarëve.

“U pajtuam se edhe lirimi i pakusht dhe i menjëhershëm i tre policëve dhe në anën tjetër depërshkallëzimi me normalizim të raporteve nuk ka alternativë”, ka thënë Kurti, duke u shprehur optimist që “në ditët dhe javët në vijim do të kemi mbase ditë më të qeta dhe më paqësore”.

Ai ndërkaq ka përsëritur qëndrimin se mosnënshkrimi i Marrëveshjes bazë është një prej “fajtorëve” për situatën në të cilën ndodhet aktualisht veriu.

Vuçiq: Çdo gjë ka shkuar shumë larg

E presidenti serb, Vuçiq, duke e përshkruar përmbajtjen e takimit me Borrellin dhe Lajçakun, ka thënë se nuk mund të konfirmojë që “ka ndonjë udhërrëfyes” për daljen nga kriza në veri të Kosovës.

“Kemi diskutuar çështjen, substancën, e cila ishte e pashmangshme, por besoj edhe e dobishme, por atë që do të shohim nesër në terren, nuk e di… kur kemi kamionë në pritje…”, ka thënë ai, duke iu referuar bllokimit të qarkullimit të kamionëve me mallra serbe në kufi me Kosovën.

Ai ka thënë se ka frikë që në veri “çdo gjë ka shkuar shumë larg”.

“Ne do të vazhdojmë të bisedojmë në baza ditore, sepse paqja dhe stabiliteti janë kyç, por unë paralajmërova se serbët janë në një pozitë shumë të vështirë dhe se nuk duan ta durojnë terrorin e Kurtit në atë mënyrë që janë detyruar ta durojnë deri në këtë moment”, ka theksuar Vuçiq. “I kam dëgjuar krejt ato që kanë pasur për të na thënë dhe e kam kuptuar vullnetin e tyre për depërshkallëzim të situatës. U kam thënë se, sikurse gjithmonë, do të bëjmë çmos që të marrim pjesë në këtë proces”.

Që nga fundi i majit, kur tensionet në veri janë rritur pasi kryetarët e rinj shqiptarë janë vendosur në objektet komunale, serbët lokalë i kanë vazhduar protestat para objekteve komunale në Zveçan, Zubin- Potok dhe Leposaviq.

Pas përshkallëzimit të situatës në veri, BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara ia kanë paraqitur kryeministrit Kurti tri kërkesa: qetësimin e situatës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve. SHBA-ja po ashtu ka inkurajuar Kurtin që kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri të kryejnë detyrat e tyre nga lokacione alternative.

Kurti ndërkaq ka paraqitur një plan prej pesë pikash. Në krye të pikave e ka vënë sundimin e ligjit në katër komunat në veri që, sipas tij, nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët. Krahas kësaj, ka kërkuar që grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe që të ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës. Pika e tretë thekson nevojën që Policia e Kosovës, pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë. E në atë pasuese theksohet se Qeveria e Kosovës duhet të koordinohet me të gjithë aktorët dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri. Sipas pikës së fundit, Kosova dhe Serbia duhet t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli.

Rama: S’ka ecje përpara pa lirimin e policëve

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ripërsëritur thirrjen që Serbia t’i lirojë tre policët e kidnapuar pasi, sipas tij, pa u bërë kjo s’ka hapësirë për të lëvizur përpara mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai shkroi në Twitter të enjten se sapo policët të kthehen në shtëpitë e tyre duhet një veprim “i ri e i fortë i Francës dhe i Gjermanisë për të ndaluar këtë spirale absurditeti”.

“Pa lirimin e tre policëve shendosh e mirë nga Serbia s’ka hapësirë për të bërë asnjë centimetër përparimi të vërtetë. Sapo të kthehen në shtëpi, nevojitet një veprim i ri i fortë i Francës dhe i Gjermanisë për të ndalur këtë spirale absurditeti. Por, gjëja e parë është: lironi tre policët!”, shkroi Rama.

Ky deklarim i Ramës vjen pas takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe shefit të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Related posts

“Unë jam i moshuar, por…”- Joe Biden mbron vendimin për të vazhduar garën presidenciale: Mprehtësia ime mendore, shumë e mirë

admin

Emigrantët në Irlandë/ DW: Pasojat e ligjit të ri britanik “Ruanda”, e vështirësojnë edhe më shumë situatën

admin

Mbi 2 milionë muslimanë kryen Haxhin këtë vit

RTI