Administrata palestineze akuzoi Izraelin për kryerje të gjenocidit kundër palestinezëve që jetojnë në Gazën e bllokuar, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Jashtme e Palestinës, dënohet fuqishëm bombardimi i Izraelit kundrejt Gazës.
Në sulmet e Izraelit përdoren edhe bombat me fosfor dhe bombat thërrmuese, theksohet në deklaratën ku shtohet: “Izraeli po kryen gjenocid kundër popullit tonë në Gaza duke përdorur armë të ndaluara ndërkombëtarisht”.
Në deklaratë thuhet se në Gaza çdo gjë është në shënjestër të bombardimit dhe deri më tani kanë humbur jetën qindra persona.
“Krimet si masakra, shkatërrim dhe zhvendosje, nënkuptojnë se shteti pushtues ka kryer gjenocid kundër shtetasve palestinezë në Gaza. Kjo po bëhet nën hijen e një fushate të çmendur që ndërpret nevojat themelore dhe që i vendos qytetarët civilë të pambrojtur përballë një ndëshkimi masiv barbar”, theksohet në deklaratë.
Po ashtu në deklaratën ku dënohen edhe sulmet e kryera kundër palestinezëve edhe në zona të ndryshme të Kudsit Lindor dhe Bregut Perëndimor nën pushtim, thuhet se Izraeli kryen krime barbare me mbështetjen që merr nga disa vende me pretendimin për “vetëmbrojtje legjitime” dhe se po përpiqet të vendosë në zbatim planin e tij për të eliminuar kauzën palestineze.
Ministria e Jashtme palestineze ka mbrojtur idenë se Izraeli po përpiqet të imponojë në rajon kulturën e luftës në vend të paqes dhe më tej ka tërhequr vëmendjen se Tel Avivi në të njëjtën kohë po e përdor këtë luftë për të mohuar ekzistencën e popullit të Palestinës.
“Palët ndërkombëtare kanë mbetur indiferentë ndaj sulmeve të Izraelit kundër popullit palestinez të cilët përbëjnë krime kundër njerëzimit”, theksohet në deklaratën ku i bëhet thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë veprime urgjente për të ndaluar bombardimet e Izraelit në Gaza.
Në një përshkallëzim dramatik të tensioneve në Lindjen e Mesme, forcat izraelite kanë nisur një fushatë të fuqishme ushtarake kundër Gazës, në përgjigje ndaj një ofensive ushtarake të grupit palestinez Hamas në territoret izraelite.
Konflikti filloi të shtunën kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksa-së” kundër Izraelit, një sulm i befasishëm i shumëanshëm duke përfshirë një breshëri raketash dhe infiltrimesh në Izrael nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit, për të cilin Hamasi tha se ishte në hakmarrje për sulmin ndaj Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dhuna në rritje e kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.
Në përgjigje të veprimeve të Hamasit, ushtria izraelite nisi operacionin “Shpatat e Hekurta” kundër objektivave të Hamasit brenda Gazës. Përgjigja e Izraelit është shtrirë në ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në një zonë që është përfshirë nga një bllokadë të rreptë që nga viti 2007.