Palestinezët, të cilët panë bastisjen e kryer nga ushtria izraelite në qytetin e Jeninit në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe ku u vranë 6 palestinezë, e krahasuan sulmin sikur të ishte luftë, raporton Anadolu.
Me sulmet e përgjakshme të Izraelit në Bregun Perëndimor dhe sulmet ajrore në Gaza, numri i palestinezëve të vrarë që nga fillimi i vitit është rritur në 167 dhe adresa e fundit e sulmeve ishte Jenini.
Ushtarët izraelitë hynë në qytet mëngjesin dje me një numër të madh automjetesh të blinduara dhe forca nga njësi të ndryshme, për të “kapur dy palestinezët” që kërkonin.
Të rinjtë palestinezë hodhën gurë në automjetet e blinduara dhe dogjën goma në rrugë për të parandaluar bastisjen.
Forcat izraelite sulmuan të rinjtë palestinezë me gaz lotsjellës dhe plumba të vërtetë, ku vranë 6 palestinezë kryesisht rreth të 20-tave, duke përfshirë edhe një fëmijë. Gjithashtu në sulme u plagosën 66 palestinezë.
Në përleshjet e dhunshme që ndodhën pas kundërpërgjigjes së “kryengritësve palestinezë”, 7 ushtarë izraelitë u plagosën kur palestinezët shënjestruan shumë automjete të blinduara të ushtrisë izraelite me eksploziv të improvizuar.
Izraeli goditi rajonin e pushtuar nga ajri për herë të parë në 20 vjet
Përballë “rezistencës së papritur” pas bastisjeve të saj të mëparshme në Bregun Perëndimor, duke përfshirë Jeninin, ushtria izraelite filloi bombardimet ajrore duke përdorur helikopterët Apache (AH-64) në rajon për herë të parë që nga viti 2002.
Qëllimi i bastisjes ndryshoi nga një “operacion” për kapjen e dy palestinezëve në një operacion për të shpëtuar ushtarët izraelitë.
Me këtë sulm, ushtria izraelite përdori helikopterë sulmues AH-64 Apache të prodhimit amerikan për herë të parë pas më shumë se 20 vjet në Bregun Perëndimor.
Përpos kësaj, rrallëherë ndodhte në bastisjet e mëparshme që kryengritësit palestinezë të arrinin të shkatërronin një numër të madh automjetesh izraelite me eksplozivë të improvizuar.
Ndërsa parashikohet se e gjithë kjo mund të shkaktojë sulme më të gjera ushtarake nga ushtria izraelite në Bregun Perëndimor, ekziston frika se do të rriten viktimat civile në rajon.
Banorët palestinezë të rajonit, të cilët ishin dëshmitarë të bastisjes së përgjakshme të Izraelit në Jenin, treguan për Anadolu rreth atyre momenteve.
“U zgjuam nga zhurma e armëve në katër të mëngjesit. Një zhurmë shumë shqetësuese. Aq sa njerëzit menduan se po shpërthente lufta. Zgjati rreth 10 orë. Plumbat na binin në shtëpinë tonë. Pastaj ishte bombardimi me helikopter. Tingulli i bombardimeve ishte i tmerrshëm. Shpërthimet nuk u ndalën aspak. Na ruajti zoti”, tha 39-vjeçari Mohammed Abu Hatab, një banor i Jeninit.
Duke theksuar se ushtria izraelite dëmtoi pronat e civilëve si dhe jetën e tyre, Abu Hatab tha: “Allahu i mëshiroftë dëshmorët tanë. Ka pasur edhe dëme materiale. Ata shkatërruan automjetet tona personale në rajon pothuajse nga lakmia për hakmarrje”.
Aktivisti Mahmud Sa’adi, një nga banorët e rajonit, gjithashtu deklaroi se ushtarët izraelitë “vepruan me ndjenjën e hakmarrjes kur hasën në një rezistencë të papritur”.
“Ata bastisën për të arrestuar djemtë e popullit tonë. Ata hasën në rezistencë dhe disa nga ushtarët e tyre u plagosën. Kjo ishte diçka që ata nuk e prisnin. Filluan të qëllonin pa dallim në çdo gjë, përfshirë shtëpitë, ambulancat, gazetarët. Dogjën në mënyrë vrastare. Kjo nuk është për t’u habitur, ata kishin vrarë motrën tonë (gazetare palestinezo-amerikane) Shireen Abu Akleh, gazetarë dhe mjekë të tjerë më parë. Ata nuk bëjnë dallim a janë të vegjël ose të mëdhenj. Megjithatë, si rrjedhojë, ne jemi një popull që rezistojmë dhe do të vazhdojmë të rezistojmë për trojet tona. Ne nuk do të dorëzohemi derisa të kemi lirinë tonë të plotë”, tha aktivisti Mahmud Sa’adi.
– Shënjestruan xhaminë me helikopter
Përveç viktimave civile dhe dëmeve materiale, ushtria izraelite shënjestroi edhe një xhami në sulmin në Jenin.
Sipas dëshmive të dëshmitarëve në rajon dhe imazheve në rrjetet sociale, helikopteri Apache i ushtrisë izraelite goditi xhaminë Munzir në Jenin.
Pasi ushtarët izraelitë u tërhoqën nga rajoni pas 10 orësh përleshje, përmasat e shkatërrimit në xhami u pasqyruan në kamerën e Anadolut.
Shihet se pjesa e brendshme e xhamisë, muret dhe kolonat, ishin me vrima dhe dritaret ishin shkatërruar. Xhamia pësoi një lloj shkatërrimi si në një zonë lufte.