Papa Françesku zbarkoi sot në Sudanin e Jugut, vendi më i ri në botë dhe një nga më të trazuarit, me shpresën se do të nxisë një shtytje për paqe në vend dhe të tërheqë vëmendjen globale për krizën e paparë humanitare, raporton Anadolu.
Aeroplani i tij nga vendi fqinj Republika Demokratike e Kongos u ul në kryeqytetin Juba rreth orës 15:00 me orën lokale (13:00 GMT), ku mijëra njerëz u mblodhën për ta mirëpritur, duke përfshirë presidentin Salva Kiir Mayardit.
Papa do të kalojë tri ditë në Sudanin e Jugut, së bashku me Kryepeshkopin e Canterbury-t, Justin Welby.
Në Kongo, Papa Françesku bëri thirrje për falje dhe nevojën për t’i dhënë fund asaj që ai e quajti “cikli i dhunës”.
Ai u kërkoi të rinjve të Afrikës të krijojnë një të ardhme të re, të tejkalojnë rivalitetet etnike dhe të çrrënjosin korrupsionin, duke i identifikuar ato si problemet kryesore që nxisin konfliktet e përgjakshme të kontinentit.
Françesku do të qëndrojë në Juba deri të dielën, ku do të zhvillojë takime me zyrtarë të ndryshëm, diplomatë, udhëheqës kishash dhe grupe qytetare, si dhe njerëz të prekur nga dhuna që ka pllakosur Sudanin e Jugut prej vitesh.