Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë ka publikuar edicionin e 23-të të Përmbledhjes Pulsi Publik, ndërkaq papunësia, varfëria dhe çmimet e furnizimeve esenciale u perceptuan si tri problemet kryesore në Kosovë.
Anketa e opinionit të Pulsit Publik bazuar në intervistat e kryera në nëntor 2022 përshkruan gjetjet mbi dhjetë treguesit kryesorë që mbulojnë çështjet socio-ekonomike, mjedisore dhe politike.
“Papunësia (29.9%), varfëria (21%) dhe çmimet e furnizimeve esenciale (17.4%) u perceptuan si tri problemet kryesore në Kosovë nga të anketuarit kur u kërkua nga ta të zgjidhnin tri çështjet më problematike”, thuhet në raport.
Furnizimi me energji elektrike (4.3%) dhe shëndetësia (4.1%) ishin ndër problemet tjera të identifikuara nga të anketuarit.
“Vlen të theksohet se krahasuar me prillin e 2022, shkalla e atyre që e konsideronin korrupsionin si problem madhor (5%) ka rënë për 3.6 pikë përqindje në nëntor 2022, ku vetëm 1.4% e të anketuarve e konsiderojnë korrupsionin si problem madhor”, thuhet në raport.
Anketa është realizuar edhe për çështjen e një mjedisi të shëndetshëm.
8.9% e të anketuarve thanë se dinë shumë për sa i përket të drejtës për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm, 26.2% pohuan se kanë njohuri mesatare, kurse 46.1% e të anketuarve thanë se dinë pak për këtë temë. Gjithsej 18.8% thanë se nuk kanë njohuri për këtë temë.
Gjetjet tregojnë që 80.4% të të anketuarve ndihen të sigurt kur janë jashtë në rrugë, në aspektin e dhunës dhe krimit potencial.
Të dhënat e zbërthyera sipas gjinisë treguan se meshkujt (81.1%) ndihen më të sigurt kur janë jashtë sesa femrat (79.8%).