Pasi Instituti Hidrometeorologjik ka paralajmëruar që sot gjatë ditës mund të ketë reshje shiu dhe shkarkime rrufesh e në disa zona parashihet të ketë edhe reshje breshëri me stuhi, Komuna e Prishtinës ka dal me disa rekomandime për qytetarët e saj.
Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook nga Komuna thonë që duke pasë parasysh këto paralajmërime nga Instituti, luten qytetarët që të kenë kujdes veçanërisht nëse janë duke ecur jashtë ose duke u kthyer nga puna.
Komuna këshillon të merren masat e mëposhtme:
Kërkoni strehë menjëherë: Nëse jeni jashtë kur fillon stuhia, kërkoni menjëherë një vend të mbrojtur, si një dyqan, ndërtesë ose ndonjë strehë tjetër.
Shmangni hapësirat e hapura: Mos qëndroni në vende të hapura si parqe, fusha apo sheshe të mëdha.
Mbani çadër të fortë: Nëse keni çadër, sigurohuni që ajo të jetë e fortë dhe e qëndrueshme për të përballuar erërat e forta.
Mos kaloni pranë objekteve të larta: Shmangni të kaloni pranë pemëve, shtyllave elektrike dhe objekteve të larta që mund të bien ose të shkaktojnë rrezik.
Kujdes me rrugët e përmbytura: Mos kaloni nëpër rrugë të përmbytura, pasi ato mund të jenë të rrezikshme për ecjen dhe lëvizjen.
Kujdesuni për të moshuarit dhe fëmijët: Nëse jeni me të moshuar apo fëmijë, sigurohuni që ata të jenë të mbrojtur dhe në një vend të sigurt.
Për çdo problem, telefononi në numrat kujdestarë (pa pagesë) 080012233 dhe 080012244.