Zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Radoica Radomiroviq, të shtunën ka publikuar disa foto nëpër rrugët e veriut në të cilën janë vendosur postera kundër ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq.
“Çfarë mendojnë qytetarët për liderin bandit të Listës Serbe”, ka shkruar Radomiroviq teksa ka bashkangjitur posterat kundër Radoiçiqit.
Në postera, Radoiçiqi akuzohet ndër të tjera si “patriot i rrejshëm” e “terrorist”.
“Kush është Radoiçiqi? Patriot i rrejshëm I dyshuar për vrasje të shumta të serbëve në Kosovë. Pronar i një laboratori të drogës. Krimineli që abuzoi me rininë tonë për pasurim personal. Terrorist. Thuani JO organizatës terroriste (Listës Serbe)”, shkruhet në posterat e vendosur në komunat veriore.
Radoiçiqi kishte marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të vitit të kaluar. Ai u pat arrestuar nga autoritetet serbe, por më pas u la i lirë. Nuk është më pjesë e Listës Serbe.
Autoritetet e Kosovës sekuestruan vilën luksoze të Radoiçiqit në veri.