RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Pendarovski: Diplomatët rusë spiunonin, dëbimi ishte i pashmangshëm

pendarovski:-diplomatet-ruse-spiunonin,-debimi-ishte-i-pashmangshem

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka thënë të shtunën se vendimi i autoriteteve shtetërore për dëbimin e tre diplomatëve rusë, ka qenë i pashmangshëm.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase, Pendarovski ka thënë se “shteti nuk kishte zgjidhje tjetër, pos dëbimit të tyre”.

“Të gjitha shërbimet kompetente, si inteligjenca e jashtme dhe inteligjenca e brendshme, kishin një raport të përbashkët lidhur me aktivitetet e tre diplomatëve dhe vendimi i kreut të shtetit ishte i domosdoshëm. Ishte shumë e qartë se ata nuk merreshin me aktivitetet diplomatike siç e parashikon Konventat e Vjenës”, ka deklaruar Pendarovski.

Diplomatët rusë, sipas një njoftimi të Ambasadës ruse në Shkup, ishin dëbuar më 15 shtator, ndërsa vendimi është bërë i ditur më 16 shtator edhe nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut.

Për Rusinë, shpallja e tre diplomatëve si të padëshirueshëm është një “akt i papërgjegjshëm dhe armiqësor, që nuk do të mbetet pa u ndëshkuar”.

Presidenti Stevo Pendarovski, në intervistën për Zërin e Amerikës, ka thënë se në dy vitet e fundit, Maqedonia e Veriut ka dëbuar 18 diplomatë rusë, të cilët, siç tha ai, “kishin statusin e diplomatit, por që ishin të angazhuar me veprimtari spiunazhi”.

“Në të gjitha rastet, shërbimet maqedonase, me ndihmën e shërbimeve partnere nga aleanca e NATO-s, dëshmuan deri në germën e fundit se ata shkonin përtej statusit që u është dhënë si diplomatë në Maqedoninë e Veriut, pra ata nuk kanë qenë diplomatë dhe për këtë janë dëbuar”, tha Pendarovski.

Ai tha se pret nga pala ruse që të përgjigjet ndaj veprimeve të palës maqedonase.

Përveç tre diplomatëve rusë, Maqedonia e Veriut e shpalli person non grata [person të padëshiruar] edhe një klerik rus, arkimandritin Vasian Zmeev. Ai ishte përfaqësues i Patriarkanës së Moskës që mbulonte edhe Bullgarinë.

Vendim të njëjtë ndërmorri edhe Sofja duke e shpallur gjithashtu të padëshiruar me arsyetimin se paraqet “kërcënim për sigurinë kombëtare”.

Pas agresionit rus kundër Ukrainës, më 24 shkurt 2022, Maqedonia e Veriut, si anëtare e NATO-s dhe aspirante për anëtarësim në Bashkimin Evropian, iu bashkua vendeve perëndimore që dënuan agresionin dhe vendosën sanksione kundër Federatës Ruse.

Maqedonia e Veriut, gjithashtu, ka ofruar ndihmë ushtarake për Ukrainën në disa raste. /rel

Related posts

Kurti: Një Rusi e fortë e trimëron Serbinë

RTI

Lojërat Olimpike në Paris dhe rreziku i sulmeve terroriste, Macron: Rusia po përhap dezinformata ndaj Francës! Në rast kërcënimi, kemi plane rezervë

admin

Putin takon Lukashenkon, çfarë u diskutua mes dy liderëve

admin