RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Pendarovski: Stabiliteti dhe prosperiteti në rajon janë të ndërvarura

pendarovski:-stabiliteti-dhe-prosperiteti-ne-rajon-jane-te-ndervarura

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, pas takimit të presidentëve të vendeve pjesëmarrëse në Procesin Bërdo-Brijuni, mbajti një konferencë të përbashkët për media me bashkë-organizatorët, presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq dhe presidenten e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, transmeton Anadolu.

Në fjalën e tij, presidenti Pendarovski tha se ka nderin të jetë nikoqir i presidentëve të vendeve pjesëmarrëse në Procesin Bërdo-Brijuni, për të cilin tha se është i vetmi mekanizëm për bashkëpunim në rajon në nivel të krerëve të shteteve.

Ai tha se ky takim u zhvillua në një atmosferë konstruktive dhe u konfirmua rëndësia e bashkëpunimit rajonal të bazuar në dialog të sinqertë dhe të hapur.

Pendarovski tha se dëshira për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) është e pranishme në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, pa përjashtim.

“Stabiliteti dhe prosperiteti në rajon janë të ndërvarura. Prandaj është më se e nevojshme të flasim hapur për çështjet më të vështira, të kërkojmë zgjidhje të qëndrueshme dhe të mbyllim çështjet e hapura. Gjithashtu, me përpjekje të përbashkëta duhet të arrijmë që Ballkani Perëndimor të kthehet plotësisht në agjendën evropiane dhe të qëndrojë aty”, tha Pendarovski.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut shprehu kënaqësinë për miratimin e “Deklaratës nga Shkupi”, e cila përmban konkluzionet dhe zotimet e përbashkëta të pjesëmarrësve në takim.

“Atmosfera në takim ishte e mirë”

Presidenti kroat, nga ana e tij, falënderoi kolegun maqedonas për organizimin e takimit, duke theksuar rëndësinë dhe vlerën e këtij lloji të dialogut.

“Sot në takim atmosfera ishte e mirë, më e mirë se të paktën në dy takimet e mëparshme. Kjo ishte e dukshme dhe është një shenjë inkurajuese. Është diskutuar për tema që bashkojnë ose kanë një potencial të tillë, ndërsa nuk u diskutua për temat që nuk janë zgjidhur, për shkak se përvoja ka treguar se kjo është kundër-produktive dhe madje e dëmshme”, tha Milanoviq.

Ai shtoi se Kroacia dhe Sllovenia, vende anëtare të BE-së, mund të ndihmojnë edhe më shumë për integrimin e kësaj pjese të Evropës në BE.

Ndërkaq, presidentja sllovene, tha se në fokus të takimit ka qenë procesi i integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ajo theksoi se Sllovenia mbështet të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në procesin e afrimit me BE-në.

“Jam e lumtur që e kemi harmonizuar tekstin e deklaratës. Vitin e kaluar, siç e dini, nuk e kemi pasur deklaratën. Këtë vit e kemi harmonizuar para takimit në Shkup dhe në fund e kemi miratuar me disa korrigjime të vogla. Pa dyshim që më jep kënaqësi të veçantë që procesi Bërdo- Brijuni do të vazhdojë. Kemi dy kandidatë për organizim vitin e ardhshëm dhe në muajt në vijim do të dakordohemi se ku do të jetë organizimi”, tha Pirc Musar.

Ajo falënderoi edhe për ndihmën e dërguar nga vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë përmbytjeve që goditën Slloveninë.

Related posts

Nëna 32 vjeçare nga Shkodra, hodhi në lum foshnjën e saj, arrestohet për vrasje

admin

Varhelyi i kërkon Kosovës ta dërgojë në Kushtetuese draftstatutin e Asociacionit

RTI

Kriza energjetike, Qeveria merr masa emergjente

admin