Përfaqësuesi i përhershëm i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara (OKB), Ferit Hoxha tha se “Reforma e Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk ka mundur të përparojë prej 30 vitesh”, raporton Anadolu.
Hoxha mbajti një konferencë për media rreth marrjes së presidencës për herë të dytë të Shqipërisë për Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB).
Duke bërë të ditur se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy ka mundësi që të zhvillojë një vizitë në New York në muajin shtator, Hoxha theksoi se kjo do të jetë vizita e parë e Zelenskyy-t në New York.
Në pyetjen se përse nuk është kryer ende reforma e KS-OKB-së, Hoxha tha se këtë situatë e cilëson si një “zhgënjim” në aspektin e kapacitetit kombëtar. Ai theksoi se çdo veto “merr peng” KS-OKB-në dhe se për këtë arsye institucioni nuk ka përmbushur ashtu si duhet detyrën e tij.
Duke potencuar se nuk e di se si do të zgjidhet kjo, Hoxha u shpreh se “Reforma e Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk ka mundur të përparojë prej 30 vitesh”.
“Vendet anëtare nuk kanë mundur të arrijnë marrëveshje për zgjidhjen e problemeve themelore. Kjo është një situatë e vështirë, por ne e dimë që edhe në diplomaci çdo gjë nuk ndodh papritur (përnjëherësh). Ndonjëherë mund të ketë zhvillime në momentin më të papritur”, shtoi Hoxha.
Pasi bëri të ditur se vendi i tij vazhdon punimet në këtë drejtim, Hoxha tha se “Por, një gjë është e sigurt, se KS-OKB nuk po kalon periudhën e saj më të mirë”.
Ai nënvizoi se kjo situatë ka shkaktuar në botë reflektimin e një “KS-OKB-je të ndarë” dhe se kur KS-OKB ka arritur të veprojë në unitet ajo ka mundur të zgjidhë probleme dhe ka shpëtuar jetë.