Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka thënë se janë duke planifikuar takimet e fundit me delegacione dhe komitete të Këshillit të Evropës para votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në KiE.
Gërvalla ka shpërndarë disa fotografi me zëvendësministrin Kreshnik Ahmeti dhe ambasadorin Lulzim Hiseni, transmeton Telegrafi.
“Nesër, më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm nga të gjitha shtetet anëtare, voton rekomandimin për Këshillin Ministror për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në KiE. Një votim i suksesshëm nesër pasdite do të hapte rrugën për hapin final, vendimin e Këshillit Ministror, i cili mundësinë e parë për ta vendosur në agjendë anëtarësimin e Kosovës do ta kishte më 16 maj, kur Këshilli i Evropës shënon 75-vjetorin e themelimit”, ka pohuar Gërvalla.
Tutje, ajo ka shkruar se “Kosova është e përgatitur dhe plotëson tashmë, siç e ka konfirmuar edhe raporti i Këshillit të Evropës, i paraqitur më 27 mars nga Dora Bakojanis, edhe zyrtarisht të gjitha kushtet për anëtarësim të plotë”.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022. Ndërkaq, më 24 prill u shënua hapi i parë i suksesshëm për Kosovën me vendimin e Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës.
Këshilli i Evropës është organizatë lidere në Evropë në fushën e të drejtave të njeriut.
Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit./Telegrafi/
The post Përgatitjet e fundit për anëtarësimin e Kosovës në KiE, Gërvalla: Një votim i suksesshëm nesër do të hapte rrugën për hapin final first appeared on Radio Televizioni Iliria.