Qyteti i Prishtinës dje është përballur me një mot të “frikshëm”.
Shiu dhe breshëri i madh arritën që të krijonin një situatë vështirë të kalueshme për qytetarët.
Dëme të mëdha iu shkaktuan shumë banorëve, e shumë pjesëmarrësve në trafik si shkak i shiut dhe ujërave të tjera të dala jashtë kontrollit.
Në lidhje me këtë, kryetari i Prishtinës Përparim Rama bashkë me bashkëpunëtorë kanë dalë në teren për të parë nga afër dëmet e shkaktaura.
Por e keqja tjetër është se sot pritet që të ketë mot të ngjashëm.
Pasditja e sotme pritet që sërish të sjell mot të përkeqësuar.
Në lidhje me këtë kryetari Rama paralajmëroi se mot të keq do të ketë rreth orës 17:00, derisa ka bërë apel tek bizneset që t’i lirojnë punëtorët e tyre më herët.
“Pas konsultimeve me institucionet përkatëse, krijuam shtabin e krizës për menaxhimin e situatës në ditët në vijim, duke marrë parasysh parashikimet për reshje të ngjashme. Së bashku me zjarrfikësit , ekipet tona të emergjencës kanë ndërhyrë në 100 raste të lajmëruara nga qytetarët. Lutim qytetarët që të shmangin përdorimin e automjeteve gjatë pasdites dhe sugjerojmë që institucionet publike dhe private të lirojnë punëtorët më herët nga puna, për të shmangur trafikun e rënduar në orët e pasdites meqë parashihen shira me intensitet të lartë sikur dje.Siguria e të gjithëve është prioriteti ynë kryesor prandaj jemi në terren në çdo kohë!Për çdo problem, telefononi në numrat kujdestarë (pa pagesë) 080012233 dhe 080012244″,tha ai.