Protestues palestinezë shiheshin të premten të lëshonin gurë dhe të shtëna armësh ndaj forcave të ushtrisë izraelite që po kryente një operacion kërkim-arrestimi në qytetin e vjetër të Nablus, në tokat e pushtuara të Bregut Perëndimor.
Në pamje shiheshin të rinj palestinezë që qëllonin me gurë dhe disa me armë ndaj autoblindave izraelite që avanconin në qytet.
Muajt e fundit ka pasur thuajse përditë palestinezë të vrarë nga ushtria, e cila ka nisur operacione të shumta në vendbanimet palestineze në kërkim të atyre që quan “elementë terroristë”.
Zemërimi palestinez duket se është shtuar kur kryeministri Benjamin Netanjahut tha se qeveria e tij ka si përparësi zgjerimin e vendbanimeve hebreje në Bregun Perëndimor, edhe pse konsiderohen “të jashtëligjshme” nga komuniteti ndërkombëtar.
OKB ka paralajmëruar se konflikti Izrael-Palestinë është “përsëri në pikën e zierjes” pas përshkallëzimit të dhunës së ushtrisë në Bregun Perëndimor dhe sulmeve të hakmarrjes në Izrael. /tch