Një stuhi e fortë shiu goditi Bosnjën gjatë natës duke shkaktuar përmbytje, ndërkaq ditë më parë ngjashëm është përballur edhe Kroacia.
Edhe Shqipëria dhe Mali i Zi pritet të përfshihen nga reshje të shiut të intensitetit të lartë, gjersa në Kosovë parashikohet që reshjet të jenë të intensitetit mesatar.
Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik tha për Telegrafin se Kosova do të përfshihet me reshje të intensitetit mesatar.
Kurse vendet fqinje, Shqipëria dhe Mali i Zi do të përfshihen me reshje të intensitetit mesatar deri të lartë dhe këto reshje do të dobësohen të shtunën dhe vende-vende do të ketë reshje intensitetit të dobët deri në mesatar”, ka thënë Aliu.
Ndryshe, një stuhi e fortë shiu goditi Bosnjën gjatë natës, duke përmbytur disa qytete në pjesët qendrore dhe jugore këtij shteti, duke mbyllur rrugët dhe duke lënë shtëpitë pa energji elektrike.
Shërbimet e shpëtimit në jug të Bosnjës raportuan disa persona të zhdukur dhe u bënë thirrje vullnetarëve dhe ushtrisë për të ndihmuar, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Ndërkohë, sipas informacioneve jozyrtare që ka marrë portali Klix.ba, numri i të vdekurve nga vërshimet dhe rrëshqitjet e dheut në Jabllanicë është rritur në mbi 10 persona. /Telegrafi/
The post Përmbytjet në rajon, Aliu: Në Kosovë priten reshje shiu të intensitetit mesatar first appeared on Radio Televizioni Iliria.