RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Personat me ngjyrë frikësohen se zgjedhjet mund ta rritin ra’cizmin në Gjermani

personat-me-ngjyre-frikesohen-se-zgjedhjet-mund-ta-rritin-ra’cizmin-ne-gjermani

Në landin Turingen të Gjermanisë, sondazhet tregojnë se Alternativa e ekstremit të djathtë (AfD) është favorite për të fituar në zgjedhjet e së dielës. Njerëzit me ngjyrë, të cilët thonë se kanë vuajtur për vite me radhë nga një mjedis armiqësor, kanë frikë se ndryshimet në pushtet vetëm se do ta përkeqësojnë situatën.

Ishte një natë e qetë vere në vitin 2020, menjëherë pas heqjes së bllokimit të parë të Gjermanisë për shkak të pandemisë me COVID-19, dhe Omar Diallo me dy miq nga vendi i tij i lindjes, Guinea, donin të festonin Kurban Bajramin.

“Ne po shijonim jetën, duke bërë muzikë, duke ecur nëpër qytet gjatë natës, thjesht donim të ishim sërish bashkë dhe të kalonim mirë”, ka thënë Diallo, 22 vjeç, për Associated Press në qytetin Erfurt, në landin Turingen.

Ai nuk ishte i përgatitur për mënyrën si do të përfundonte dita. Papritur Diallo dhe miqtë e tij u përballën me tre burra të bardhë të veshur me të zeza.

“Ata bërtisnin: Çfarë doni këtu, të huaj të mallkuar, dilni jashtë!”, ka kujtuar Diallo fjalët e tyre.
“Në fillim ishin tre, pastaj pesë, shtatë… na rrethonin nga të gjitha anët. Nuk mundëm të iknim dhe më pas filluan të na ndiqnin”, ka treguar tutje ai.

Në një moment Diallo arriti të thërriste policinë dhe kur zyrtarët mbërritën më në fund, sulmuesit u larguan me vrap. Një nga miqtë e tij u rrah aq keq sa u desh të shtrohej në spital.

“Unë thjesht u përpoqa të mbijetoja. Nuk kisha bërë asgjë të keqe. Gjithçka ndodhi vetëm për shkak të ngjyrës sime të lëkurës”, ka thënë ai teksa ka rrëfyer momentet e vështira.

Të jesh me ngjyrë në Gjermani ka nënkuptuar gjithmonë ekspozim ndaj racizmit, ndaj poshtërimeve të përditshme, e deri te sulmet vdekjeprurëse. Në Gjermaninë Lindore, rreziku mund të jetë edhe më i madh.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania Perëndimore u bë shoqëri demokratike, e larmishme, por në Gjermaninë Lindore – e cila drejtohej nga një diktaturë komuniste deri në fund të vitit 1989 – banorët nuk kishin thuajse asnjë kontakt me njerëz të etnive të ndryshme dhe nuk lejoheshin të udhëtonin lirshëm jashtë vendit.

Ekspertët kanë thënë se në mënyrë specifike në Turingen, forcat radikale të së djathtës ekstreme kanë krijuar një mjedis armiqësor ndaj pakicave, duke përfshirë njerëzit me ngjyrë.

Rritja e shqetësimit

Tani, me ngritjen e Alternativës së ekstremit të djathtë për Gjermaninë, ose AfD, gjermanët me ngjyrë dhe emigrantët afrikanë si Diallo po bëhen gjithnjë e më të shqetësuar.

Turingeni, i cila ka popullsi prej 2.1 milionë banorësh, mban zgjedhjet shtetërore më 1 shtator (sot) dhe AfD-ja e cila njihet si parti e ashpër kundër imigracionit po kryeson në sondazhe, me 30%.

Në vitin 2023, organizata joqeveritare “Ezra”, e cila ndihmon viktimat e dhunës së ekstremit të djathtë, raciste dhe antisemitike, pati dokumentuar 85 sulme raciste në Turingen, vetëm pak më pak se 88 sulmet që ishin raportuar në vitin 2022, të cilat “Ezra” i përshkroi si “niveli më i lartë i të gjitha kohërave të dhunës raciste” në shtet.

“Vitet e fundit, një lëvizje e ekstremit të djathtë është formuar në Turingen. Ajo ka kontribuar në radikalizëm të dukshëm ideologjik të ndjekësve të saj. Politikisht, partia ‘Alternativa për Gjermaninë’ është përfituesi kryesor”, ka shkruar në raportin vjetor “Ezra” dhe një konsorcium organizatash që raportojnë racizmin.

Dega e AfD-së në Turingen është veçanërisht radikale dhe u vu nën mbikëqyrje zyrtare nga shërbimi vendas i inteligjencës katër vjet më parë si një grup “ekstremist i dëshmuar i krahut të djathtë”.

“Forcat autoritare dhe populiste, të cilat po bëhen shumë të forta këtu tani ushqejnë rrezik të madh në Turingen”, ka thënë Doreen Denstaedt, ministre e Turingenit për Migracionin, Drejtësinë dhe Mbrojtjen e konsumatorëve.

Denstaedt, vajza e një babai me ngjyrë nga Tanzania, dhe e një nëne të bardhë gjermane, u lind dhe rrit në Turingen. Anëtarja 46-vjeçare e Partisë së Gjelbër ka thënë se duke u rritur në Gjermaninë Lindore komuniste, ajo ishte “gjithmonë fëmija i vetëm me ngjyrë”. Si adoleshente, ajo kurrë nuk u lejua të shkonte vetëm në shtëpi për shkak të rrezikut të sulmeve raciste dhe shpeshherë vuante nga sharje raciste në shkollën e saj.

“Në fakt e kam përjetuar atë që njerëzit të më quanin të huaj. Kjo më ka shkaktuar befasi në fillim sepse kam lindur në Saalfeld në Turingen”, është shprehur Denstaedt.

Ajo ka frikë se në klimën aktuale politike, narrativat raciste do të bëhen të pranueshme në mes të shoqërisë.

“Shqetësimi im më i madh është se njerëzit nuk i vënë në dyshime këto paragjykime, veçanërisht nëse nuk preken vetë”, ka deklaruar ajo.

Historia e diskriminimit 

Nuk është saktësisht e qartë se sa njerëz me ngjyrë jetojnë në Gjermani në ditët e sotme, pasi etni të ndryshme nuk janë të dokumentuara në statistikat zyrtare, por vlerësimet e tregojnë numrin e njerëzve me origjinë afrikane në 1.27 milionë. Më shumë se 70% e tyre kanë lindur në Gjermani, sipas “Mediandienst Integration”, e cila hulumton çështjet e migracionit në vend.

Historia e diskriminimit racor në Gjermani fillon shumë përpara se nazistët të fillonin të përjashtonin, deportonin dhe përfundimisht të vrisnin njerëzit me ngjyrë në vitet 1930 dhe 1940.

Perandoria Gjermane mbajti koloni të shumta në Afrikë nga viti 1884 deri në fund të Luftës së Parë Botërore. Këto përfshinin territore në Tanzaninë e sotme, Burundin, Ruandën, Namibinë, Kamerunin, Togon dhe Ganën.

Qeveria gjermane vetëm kohët e fundit ka filluar të merret me padrejtësitë e bëra gjatë asaj periudhe.

Në vitin 2021, presidenti Frank-Walter Steinmeier u bëri thirrje gjermanëve të përballen me të kaluarën mizore koloniale të vendit, dhe në vitin 2023, ai kërkoi falje për vrasjet e epokës koloniale në Tanzani, mbi një shekull më parë.

Daniel Egbe, kimist 58-vjeçar nga Kameruni, i cili shkoi në Turingen në vitin 1994 për të studiuar, ka thënë se është i tronditur se sa pak gjermanët dinë për historinë e tyre koloniale. Ai ka deklaruar se kjo injorancë mund të shkaktojë edhe trajtimin e pabarabartë të njerëzve me ngjyrë.

“Unë kam dhënë mësime në shkollë. Unë u tregoj atyre pak për veten time dhe veçanërisht për faktin që Kameruni ishte një koloni gjermane. Shumë studentë nuk dinë asgjë për Afrikën apo për të kaluarën gjermane dhe kjo duhet të vendoset në hartë”, ka treguar Egbe.

Egbe, i cili mori nënshtetësinë gjermane në vitin 2003, themeloi “AMAH”, një organizatë që u ndihmon studentëve të universitetit dhe migrantëve nga Afrika që janë viktima të diskriminimit, në qytetin Jena.

Ai është i shqetësuar për ngritjen e AfD-së, por nuk ka ndërmend të largohet.

“Ne nuk do të largohemi, ne do të bëjmë pjesën tonë për të ndryshuar këtë shoqëri. Njerëzit kryesisht kanë frikë se çfarë dhe kë nuk e njohin. Ne duhet t’i ndryshojmë gjërat përmes arsimit”, është shprehur Egbe.

Edhe Diallo, guineasi që u sulmua në Erfurt katër vjet më parë, gjithashtu është zotuar të ndihmojë në përmirësimin e situatës për njerëzit me ngjyrë në Gjermani.

Edhe pse sulmi e ka traumatizuar, ai gjithashtu e ka fuqizuar të luftonte për drejtësi. Një vit më parë, ai u regjistrua në universitetin në Mynih për të studiuar drejtësi, por ende e viziton shpesh Erfurtin, ku mbështet “Rininë pa Kufij”, një rrjet emigrantësh të rinj.

“Nuk e di ende saktësisht se si do ta ndryshojë Gjermaninë, por e di që do ta ndryshojë”, është shprehur ai. /përktheu: Flutura Gashi-Mehmeti /koha.net

Related posts

Vr’iten 20 pa’lestinezë në su’lmet e Iz’raelit në Khan Younis të Rripit të Ga’zës

RTI

Atentati ndaj Donald Trump, autoritetet nisin hetimet ndaj Shërbimit Sekret

admin

Turqia në mbështetje të kandidaturës së Rutte për shef të ri të NATO-s

rezart morina