RTV AHIRETI
Agjërimi

PESË FATKEQËSITË E MËDHA

pese-fatkeqesite-e-medha

O muslimanë, ju porosis juve dhe veten me devotshmëri ndaj Allahut: “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore”. (El-Ahzab: 70-71)

O muslimanë, në vazhdim do të flasim për një hadith të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, një hadith madhështor në të cilin ka paralajmërim të vërtetuar dhe nxitje të fortë për të larguar nga shkaqet e çrregullimit në tokë dhe njerëz:

Nga Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u kthye drejtë nesh dhe tha: “O emigruesit në rrugë të Allahut! Janë pesë gjëra për të cilat lus Allahun të mos sprovoheni me to, e të mos i arrini ato. Nuk është përhapur imoraliteti në ndonjë popull derisa ta shfaqin haptazi, e të mos përhapen në mesin e tyre murtaja (sëmundjet ngjitëse) dhe sëmundje të tjera të cilat nuk kanë ekzistuar te paraardhësit e tyre. Nuk peshojnë dhe matin mangët, vetëm se do të ndëshkohen me varfëri, skamje dhe tirani të sundimtarëve (sulltanëve). Nuk e ndërpresin dhënien e zekatit, vetëm se do t’u ndërpritet rënia e shiut, saqë sikur të mos ishte shkaku i kafshëve nuk do të binte asnjë pikë. Nuk e thyejnë premtimin e dhënë Allahut dhe premtimin e dhënë të Dërguarit të Tij, vetëm se Allahu atyre do t’u përcaktojë një armik të jashtëm i cili do ua marr disa prej të mirave që i posedojnë. Dhe nuk gjykojnë prijësit e tyre me ligj tjetër përveç Librit të Allahut, si dhe nuk zgjedhin gjykime të tjera përveç asaj që ka përcaktuar Ai, vetëm se Allahu do t’i përçajë dhe do ua shtojë urrejtjen mes vete”.

Ky hadith ia qartëson Umetit se esenca e çdo çrregullimi është largimi nga rruga e Allahut dhe devijimi nga udhëzimi i të Dërguarit të Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. S’ka dyshim se gjynahet dhe të ligat janë esenca e çdo belaje dhe e çdo fatkeqësie dhe shkaktare e çdo dëmi dhe problemi: Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është si pasojë e asaj që keni bërë vetë; por Ai fal shumë”. (Esh-Shura: 30)

Gjendja aktuale e përbuzur e muslimanëve na bën të ndalemi para këtij hadithi madhështor dhe ta përsiatim dhe në fund të dalim me tri konkludime:

Konkludimi i parë: Ta dimë se përhapja e sëmundjeve ngjitëse shkatërruese dhe të sëmurit e njerëzve me sëmundje të panjohura, vjen nga përhapja e fëlliqësirave në mesin e njerëzve dhe nga përhapja e tepërt e imoralitetit dhe homoseksualizmit dhe përhapja e mjeteve dhe thirrjeve në të, nëpërmjet mjeteve të ndryshme informative.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kur te një popull përhapen gjynahet dhe mëkatet dhe numri i mëkatarëve është më i vogël se sa i popullit ku jetojnë dhe të tjerët nuk marrin masa për ta ndryshuar gjendjen, ka shumë mundësi që Allahu ta dënojë atë popull në tërësi”.

Në një hadith tjetër përcillet: “Umeti im vazhdon të jetojë në mirësi derisa nuk përhapet në mesin e tyre fëmija i imoralitetit dhe kur përhapet ky gjynah në mesin e tyre atëherë ka mundësi që Allahu ta dënojë atë popull në tërësi”.

Nga transmetimi i Ibën Abasit, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcillet se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, të ketë thënë: “Nuk është përhapur imoraliteti te një popull vetëm se në mesin e tyre është përhapur vdekja”.

Konkludimi i dytë: Ngrënia e pasurisë haram dhe lëshimi pe në këtë çështje për sa i përket ngrënies së pasurisë në të kotë, të vjedhurit dhe pakësimi në peshore, tradhtia, mashtrimet e të gjitha llojeve dhe formave, janë shkaqe e gjendjes aktuale të muslimanëve: “Mos ia merrni pasurinë njëri-tjetrit padrejtësisht”. (El-Bekare: 188)

Nga lloji më i rëndë i pakësimit dhe vjedhjes në vagë nga të cilat na vijnë edhe këto bela është ngrënia e pasurisë së përgjithshme të muslimanëve, shfrytëzimi i autoritetit për të arritur deri te grabitja e pasurisë së muslimanëve, përdorimi i pozitave për të përfituar projekte joligjore, e të mos flasim për ryshfetin me të gjitha format e tij.

Kjo e tëra nëse përhapet në tokat e muslimanëve bëhet shkak për paraqitjen e çrregullimeve dhe ardhjen e belave dhe fatkeqësive, edhe atë jo vetëm se mbi individin mëkatar, po edhe mbi shoqërinë në tërësi.

Kur njerëzit largohen nga dispozitat e Islamit sa i përket përfitimit të pasurisë dhe largohen nga sistemi i Kur’anit dhe Sunetit, u ngushtohet jeta dhe u vijnë dëme të llojeve të ndryshme, nga pakësimi i shiut, përfshirja e cikloneve, humbja e bereqetit, rritja e çmimeve, përhapja e varfërisë, e të mos flasim për përhapjen e padrejtësisë në tokat e muslimanëve dhe shtypjet që u bëhen. Shpërblimi vjen sipas llojit të veprës.

Kur njerëzit përqendrohen mes tyre në marrëdhëniet e shitblerjes dhe sistemit bankar sipas asaj që e ka ligjësuar Allahu dhe i Dërguari i Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, Allahu ua bën atyre që në çdo vështirësi të gjejnë zgjidhje e rrugëdalje dhe t’i furnizon nga nuk e presin: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret”. (Et-Talak: 2-3)

Konkludimi i tretë: Shteti islam e ka për detyrë t’i praktikojë dispozitat e dy shpalljeve (Kur’anit dhe Sunetit) në të gjitha sferat jetësore dhe në të gjitha çështjet, kurse nga njerëzit kërkohet që dispozitat e Islamit të jenë kushtetuta e tyre në të gjitha çështjet jetësore, të voglat dhe të mëdhatë, atëherë do të përfshihen nga siguria dhe paqja, rehatia dhe jetesa e mirë. Sipas sasisë së largimit nga rruga e sheriatit u vijnë edhe belat e fatkeqësitë dhe krizat e padrejtësitë: “Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër”. (Ta Ha: 124)

Shtetet islame kur shmangen nga të praktikuarit e ligjeve të Allahut tërësisht apo pjesërisht, goditen me varfëri dhe u vijnë bela dhe sprova. Gjendja aktuale e mjerë e muslimanëve dhe e shteteve islame, ku muslimanët janë sprovuar në fenë e tyre dhe në trupat e tyre, u cenohen të drejtat e tyre, u cenohet gjaku dhe nderi, pasuria dhe siguria, vjen si pasojë e gjykimit me ligje të aplikuara nga vet njerëzit, e jo me ligjet të cilin i ka zbritur Allahu. Kjo është bërë sebep që të përhapet padrejtësia në tokë dhe në mesin e njerëzve dhe të shtohet çrregullimi dhe të shtohet urrejtja mes udhëheqësit dhe parisë së tij dhe të humbet tek njerëzit kuptimi i hadithit të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Udhëheqësit më të mirë janë ata të cilët i doni dhe ju duan, luteni për ta dhe luten për ju. Kurse udhëheqësit më të keq janë ata të cilët i urreni dhe ju urrejnë dhe i mallkoni dhe ju mallkojnë”.

O njerëz që logjikoni të çdo shteti islam, në çdo shtet musliman ku ka kryengritje dhe orvatje për ta ndryshuar sistemin gjykues të padrejtë, dijeni se duhet të kapeni për Kur’anin dhe Sunetin se përndryshe nuk do t’i arrini qëllimet e juaja dhe çrregullimet nuk do të largohen dhe përmirësimi nuk do të vjen. Më e keqja është se Allahu do të bëjë që të përhapet e liga dhe të përdoret forca mes jush, ashtu si edhe e sqaron ky hadith madhështor: “Përderisa udhëheqësit e juaj nuk gjykojnë me ligjet e Allahut dhe zgjedhin nga ajo që e ka zbritur Allahu, Allahu do ta përhap të ligën dhe do të bëjë të përdorni forcën mes jush”.

O muslimanë, pse nuk po gjykoni me librin e Allahut? Pse nuk po kapeni për traditën dhe udhëzimin e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të? A nuk u mor besa nga ju se do të kapeni për Kur’anin dhe të udhëzoheni sipas traditës së Muhamedit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të?! Atëherë pse ikni në të majtën dhe në të djathtë?! Ju do të bëheni shkak që vendet e juaja të varfërohen dhe të sprovohen me sëmundje dhe me çrregullime! Për këtë arsye kapuni për litarin e Allahut dhe nënshtrojuni ligjeve të Tij dhe të Dërguarit të Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.

Kurse juve që Allahu ju begatoi me vende ku në to gjykohet me ligjin e Allahut, kapuni për të fortë dhe mos e humbni dhe mos lakoni në të majtën dhe në të djathtën nga kjo rrugë madhështore. Allahu nuk e ndryshon një begati derisa ata e ndryshojnë vetë gjendjen e tyre dhe largohen nga ajo begati.

O muslimanë, ekspertët botërorë janë të një mendimi se tokat muslimane janë ndër më të pasurat në dynja, në mirësitë e saj dhe në thesaret e saj të brendshme dhe të jashtme dhe në pozitën e tyre gjeostrategjike, mirëpo edhe përskaj këtyre fakteve ato kanë mbetur ndër më të varfrat në mesin e vendeve tjera, e të mos flasim për përhapjen e varfërisë dhe papunësisë në ato shtete. Atëherë pse kjo e tëra?!

Ky prodhim vjen si shkak i largimit të njerëzve dhe qeverive nga rruga e Islamit, ashtu edhe siç ceket në hadith: “Përderisa udhëheqësit e juaj nuk gjykojnë me ligjet e Allahut, në mesin e juaj do të përhapet varfëria”.

Le ta dinë të gjithë ata që thirrin në hyrjen e bazave ekonomike perëndimore nëpër tokat muslimane, të cilat baza bien ndesh me mësimet e Kur’anit sa i përket ekonomisë islame, se ata muslimanët janë duke i drejtuar drejt një shkatërrimi të madh, ku përfundimin e saj nuk e di se si do të jetë përveç Allahut.

Nga belatë më të mëdha dhe nga sherret dominuese është sprova e Umetit me njerëz që muslimanët i nxisin të kapen pas kulturave të huaja e të kota. Ka nga pjesëtarët e këtij Umeti që i mohojnë disa nga dispozitat, kurse disa të tjerë e shohin se duhet të merren vetëm se dispozitat e adhurimeve dhe të largojnë Islamin si sistem gjykimi dhe metodologji jetësore. Me këta njerëz Umeti është dobësuar dhe poshtëruar dhe nënçmuar.

Patjetër duhet të luftohen këto ideologji dhe patjetër të ketë bashkëpunim mes muslimanëve me qëllim që të dominojnë ligjet dhe dispozitat e Islamit dhe me këtë të shpëtojë umeti nga çdo çrregullim dhe fatkeqësi.

Shejh Husejn Ali Shejh

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

 

 

 

Related posts

Tribunë Islame në Xhaminë Mëshira

admin

QARTËSIMI I SHKAQEVE TË LUMTURISË

rezart morina

PRITJA E RAMAZANIT DHE RREGULLAT E ZEKATIT

admin