Një sërë simptomash i paraprijnë arrestit kardiak, që mund të nënkuptojë se pacienti është në rrezik të një gjendjeje potencialisht fatale.
Studiuesit i kanë përcjellë njerëzit që përjetuan arrest kardiak jashtë spitalit. Pacientët u regjistruan në regjistrin danez të arrestit kardiak midis viteve 2016 dhe 2018. Një në dhjetë prej tyre kishte thirrur një ambulancë deri në 24 orë para se të përjetonte një arrest kardiak.
Simptomat më të zakonshme të hershme të arrestit kardiak ishin: problemet me frymëmarrje, konfuzioni, të fikëtit, dhimbje gjoksi dhe zbehje. Mosha mesatare e pacientëve ishte 74 vjeç, ndërsa 59.9 për qind ishin meshkuj.
“Problemet me frymëmarrje kishin më shumë gjasa t’i paraprinin arrestit kardiak sesa dhimbja e gjoksit. Për shkak se dispnea (vështirësi në frymëmarrje) është gjithashtu një shenjë e gjendjeve të tjera mjekësore, shpresojmë që gjetjet tona do të nxisin kërkime të mëtejshme për të ndihmuar dispeçerët e ndihmës së shpejtë të dallojnë midis simptomave të gjendjes dhe problemeve të tjera shëndetësore”, ka thënë autori i studimit, Filip Gnesin, shkencëtar në spitalin ‘North Zealand’ në Hillerod të Danimarkës.
Arresti kardiak, i njohur gjithashtu si arrest kardiopulmonar, ndodh kur zemra juaj papritmas ndalon së pompuari gjakun drejt organizmin. Personi me arrest kardiak humb vetëdijen, ndërsa frymëmarrja është e parregullt.
Kur ndodh arresti kardiak, nuk ka kohë për të humbur, është një urgjencë kërcënuese për jetën dhe telefonimi i shërbimeve emergjente është jetik.
Arresti kardiak është humbja e menjëhershme e funksionit të zemrës, frymëmarrjes dhe vetëdijes. Kjo gjendje zakonisht rezulton nga një problem në sistemin elektrik të zemrës, i cili prish veprimin e pompimit të zemrës dhe ndalon rrjedhën e gjakut në trupin tuaj.
Arresti kardiak nuk është i njëjtë sikurse një sulm në zemër (infarkti), kur bllokohet rrjedha e gjakut në një pjesë të zemrës. Sidoqoftë, një sulm në zemër ndonjëherë mund të shkaktojë një shqetësim elektrik që çon në arrest kardiak.
Nëse nuk trajtohet menjëherë, arresti kardiak mund të çojë në vdekje. Mbijetesa është e mundur me kujdes të shpejtë dhe të duhur mjekësor. Reanimacioni kardiopulmonar (CPR), duke përdorur një defibrilator – apo edhe thjesht duke bërë kompresime në gjoks – mund të përmirësojë shanset për të mbijetuar.
Shenjat dhe simptomat e arrestit kardiak janë të menjëhershme dhe drastike: Rrëzim e papritur, humbje e pulsit, ndalim i frymëmarrjes, humbje e vetëdijes.
Ndonjëherë disa shenja dhe simptoma ndodhin para shfaqjes arrestit kardiak, siç janë: pakëndshmëri në gjoks, frymëzënie, dobësi, rrahje të shpejta, palpitacione (megjithëse më së shpeshti, arresti kardiak ndodh pa shenja paralajmëruese).
Shkaktari i zakonshëm i arrestit kardiak është ritmi jonormal i zemrës (aritmia) që ndodh kur sistemi elektrik i zemrës nuk funksionon si duhet.
Sistemi elektrik i zemrës kontrollon shkallën dhe ritmin e rrahjeve të zemrës. Nëse diçka shkon keq, zemra juaj mund të rrahë shumë shpejt, shumë ngadalë ose në mënyrë të parregullt (aritmi). Shpeshherë këto aritmi janë të shkurtra dhe të padëmshme, por disa lloje mund të çojnë në arrest kardiak të papritur.