RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Petrovska: Lajmet e rrejshme ruse krijojnë ndasi mes qytetarëve në Maqedoninë e V.

petrovska:-lajmet-e-rrejshme-ruse-krijojne-ndasi-mes-qytetareve-ne-maqedonine-e-v.

Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Sllavjanka Petrovska, ka thënë të mërkurën se lajmet e rrejshme të Rusisë në Maqedoninë e Veriut krijojnë ndasi “mes qytetarëve mbi baza nacionale” dhe se kanë për qëllim uljen e besimit ndaj institucioneve vendore.

Petrovska i bëri këto komente gjatë një tryeze të titulluar “Dezinformimi dhe lufta agresore e Rusisë kundër Ukrainës”, e cila u organizua nga organizata joqeveritare NEXUS në Shkup.

“Në këtë betejë ajo (Rusia) i shfrytëzon rrënjët historike të përkatësisë sllave të një pjese të popujve që jetojnë në këto treva, relacionin ekonomik, po njëkohësisht, i shfrytëzon dhe subjektet e caktuara politike, si struktura për të vepruar dhe shpërndarë dezinformata dhe për ta shpërqendruar opinionin”, tha Petrovska.

Ajo nënvizoi se dezinformatat ruse përbëjnë problem për sigurinë “jo vetëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe më gjerë”.

Petrovska bëri thirrje për bashkëpunim me të ngushtë mes vendeve të rajonit për t’i luftuar lajmet e rrejshme ruse.

Afrodita Musliu nga NEXUS tha se institucionet e Maqedonisë së Veriut nuk kanë mekanizma për t’u mbrojtur nga lajmet e rrejshme.

“Përshtypja është se, për shkak të rezistencës së dobët ndaj vërshimit të dezinformatave dhe lajmeve të reshmeve, ne jemi të ndjeshëm dhe lehtësisht të prekshëm nga ndikimet e jashtme”, tha Musliu.

Nikolla Dujovski, ligjërues në Fakultetin për Siguri në Shkup, theksoi se të rinjtë në Maqedoninë e Veriut kanë mendime të ndara rreth luftës së Rusisë kundër Ukrainës, me gjysmë e tyre, sipas tij, që e mbështesin atë.

“Më shumë hulumtime që janë realizuar në Maqedoninë e Veriut tregojnë se të rinjtë këtu janë të darë në gjysmë, ata që e mbështesin Rusinë në luftën në Ukrainë, dhe ata që e mbështesin Maqedoninë e Veriut në rrugën e integrimeve evropiane dhe kanë mendim pozitiv ndaj politikave të NATO-s dhe BE-së ndaj Ukrainës. Duhet të pranojmë se, për fat të keq, kjo është e vërteta e realitetit tonë” tha Dujovski.

Zvarritja e procesit të integrimeve është ajo që le hapësirë për krijimin e disponimit pro rus në Maqedoninë e Veriut, sipas Nenad Markoviq, profesorit universitar për Marrëdhënie Ndërkombëtare.

“Frustrimi i thellë ndaj orientimit perëndimor është ajo që i jep hov disponimit pro rus në Maqedoninë e Veriut”, theksoi Markoviq.

Rusia e ka shtrirë ndikimin në Maqedoninë e Veriut edhe përmes postimeve të shpeshta të ambasadës së saj në Shkup, tha gazetari Vasko Pop Petreski, duke cituar të dhënat e një hulumtimi të Qendrës për Demokraci në Sofje.

“Vetëm gjatë viteve 2021 dhe 2022, ambasada ruse ka publikuar dyfish më shumë se ambasadat e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës dhe Gjermanisë, dhe vendet e BE-së”, tha Petreski. /rel

Related posts

Ne’tanyahu mohon përparimin në bisedimet e ar’mëpushimit në Ga’za, pavarësisht pretendimet të SHBA-së

admin

Provokimet me grafite në komunat veriore – prokuroria thotë se po heton rastin në koordinim me policinë

admin

“Jemi të hapur për dialog mbi Ukrainën”- Deklarata e Putinit në prag të vizitës në Kinë: Bisedimet duhet të marrin parasysh…

admin