Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, është shpallur fajtor nga Gjykata Speciale të martën.
Shala është dënuar me burgim të njësuar në kohë prej 18 vjetësh, ku llogaritet edhe koha e kalaur në paraburgim.
“Ju shpall fajtor për veprat penale në vijim: ndalim arbitrar si krim lufte… si pjesë e ndërmarrjes se përbashkët kriminale në formën e saj bazë. Për pikën 3 të aktakuzës për troturë si krim lufte, si pjesë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale në formën bazë të saj dhe pika 4- vrasje e paligjshme si krim lufte si pjesë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale në formën bazë të saj”, tha Veldt-Foglia, kryetarja e trupit gjykues.
Shala u shpall i pafajshëm për pikën dy të akuzës për trajtim mizor.
Për pikën 1 të akuzës, Shala u dënua me 6 vjet burgim, me 16 vjet burgim për pikën tre dhe 18 për pikën 4.
Procesi gjyqësor kundër Shalës nisi më 21 shkurt 2023. Shala është deklaruar i pafajshëm për katër pikat e aktakuzës – ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Aktakuza pretendon se Pjetër Shala dhe disa ushtarë, policë dhe roje të UÇK-së në mes 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 “morën pjesë në ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe në një rast në vrasjen e paligjshme të një të ndaluari në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë”.
Shala ishte arrestuar në mars 2021 në Belgjikë dhe ishte transferuar në paraburgim në Hagë, në prill të atij viti.
Aktgjykimi ndaj Shalës është i dyti nga Specialja, pas atij ndaj Salih Mustafës, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili në dhjetor të vitin 2022, ishte dënuar me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.