Viteve të fundit është duke shënuar rënie të vazhdueshme numri i nxënësve nëpër shkolla.
Nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në një përgjigje për Indeksonline thonë se, sipas të dhënave që janë raportuar nga shkollat, në vitin shkollor 2021/2022 janë larguar 730 nxënës nga shkollat.
“Raportimi për nxënës të larguar bëhet sipas viteve shkollore andaj për këtë gjysmëvjetor jemi në procesin e grumbullimit të të dhënave“, njofton MASHTI.
Kësisoj, kjo ka ndikuar edhe në shuarjen e paraleleve. Nga ministria që udhëhiqet nga Arbërie Nagavci theksojnë se:
“Në bazë të kërkesave të Komunave, bazuar në Udhëzimin Administrativ nr. 104/2020 “Për kriteret dhe proceduarat e themelimit dhe pushimit të veprimtarisë së institucioneve të arsimit parauniversitar”, pushimi i veprimtarisë së institucionit edukativo-arsimor ose paraleles së ndarë gjatë vitit 2022 është si vijon:
1. Paralelja e ndarë në fshatin Dragaqinë që funksiononte në kuadër të SHFMU “Sadri Duhla” në Duhël, komuna e Suharekës;
2. Paralelja e ndarë në fshatin Padalishtë që funksiononte në kuadër të SHFMU “Tre dëshmorët e shkollës Shqipe” në Uçë, komuna e Istogut”.
Tutje nga MASHTI bëjnë të ditur se në vitin 2022 janë ndërtuar 4 shkolla fillore dhe të mesme të ulëta dhe 3 salla të edukatës fizike.