Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës, kanë parandaluar një rast të kontrabandimit me mallra, ku vlera arrijnë në rreth 30 mijë euro.
Sipas komunikatës në brezin kufitar Maqedoni e Veriut- Kosovë është ndaluar një kombi/furgon me targa vendore drejtuesi i së cilës nuk kishte patentë shofer.
“Me datën 21.05.2024 njësia e lartcekur, në brezin kufitar Maqedoni e Veriut- Kosovë, ka ndaluar një të dyshuar mashkull i cili po e drejtonte një kombi/furgon me targa vendore pa patentë shofer. Gjatë kontrollit të realizuar është vërejtur se personi i dyshuar kishte të ngarkuar disa pako me mallra të ndryshme si në vijim: sirup ‘Takovo’ rreth 900 litra,filtera Grande rreth 70000 copë, filterë Gentelmenrreth 450000 copë, kavanoza të qelqit me mjaltë në sasi prej rreth 1200 kg, 28 palë këpucë, 2 karrige luhatëse me pajisje përcjellëse dhe 2 pasqyra”, thuhet në komunikatë.
Lidhur me rastin të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me prokurorinë, ku me urdhër të prokurorit personi i dyshuar dërgohet në qendër të ndalimit për 48 orë,ndërsa malli i kontrabanduar dhe automjeti sekuestrohen dhe dërgohen në terminalin doganor përkatës.