Policia e Kosovës i ka demantuar publikimet se ajo ka penguar autobusë me serbë që ishin nisur në protestën që u mbajt sot në fshatin Rudarë, ku janë vendosur barrikada.
“Referuar deklarimeve dhe publikimeve të disa mediumeve se gjoja autobusë me protestues të cilët kishin për qëllim shkuarjen në protestën e paraparë të mbahet në Rudarë të Zveqanit, janë penguar nga Policia e Kosovës, janë të pavërteta dhe nuk qëndrojnë”, thuhet në komunikatë.
Publikohet një video e Vuk Drashkoviq kur kërcënonte dhe kishte një plan p…
Në sqarimin e Policisë thuhet se gjatë kontrollit rutinor të një autobusi, disa persona nuk kanë pranuar “të legjitimohen” nga autoritetet dhe me vetëdëshirë nuk kanë vazhduar tutje.
“Gjatë realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore në funksion të garantimit të ligjit dhe sigurisë, një autobus është ndaluar sipas procedurave të kontrollit rutinor dhe gjatë verifikimit të dokumenteve disa persona nuk kanë pranuar të legjitimohen nga autoritetet kompetente, prandaj në mënyrë vullnetare (me vetë dëshirë) nuk kanë vazhduar tutje”.
“Policia e Kosovës siç ka njoftuar përmes komunikatës së saj para fillimit të protestës, ka theksuar njohjen e të drejtës ligjore për të protestuar në mënyrë të qetë nga secili qytetarë si dhe angazhimet policore në respektimin e të drejtave dhe lirive njerëzore pa dallim”.
Policia raporton se, sipas vlerësimeve në terren rreth orës 13:00, protesta ka përfunduar e qetë, pa ndonjë incident të raportuar dhe në të kanë marrë pjesë rreth 1.500 pjesëmarrës.
Protestuesve sot iu drejtua kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili përmendi kushtet për heqjen e barrikadave që kanë bllokuar rrugët e veriut, prej 10 dhjetorit.