Polonia është e gatshme të presë armë bërthamore nëse NATO vendos t’i pozicionojë ato përballë Rusisë e cila vazhdimisht përforcon armatimet e saj në Bjellorusi dhe Kaliningrad, ka njoftuar presidenti polak, Andrzej Duda.
Polonia si një nga anëtaret e NATO-s dhe mbështetëset e Ukrainës, ndan një kufi si me enklavën e Kaliningradit të Rusisë, ashtu edhe me aleatin e Moskës, Bjellorusinë.
Kaliningradi u shkëput nga Moska kur Lituania u pavarësua gjatë shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, shkruan The Guardian.
“Nëse aleatët tanë vendosin të pozicionojnë armë bërthamore në territorin tonë për të përforcuar krahun lindor të NATO-s, ne jemi gati ta bëjmë këtë”, tha Duda.
Ndryshe, rreth vendosjes së armëve bërthamore Duda është deklaruar pas një vizite në New York ku zhvilloi takime në OKB dhe diskutoi me ish-presidentin amerikan, Donald Trump, për luftën në Ukrainë.
Gjithashtu, ai vizitoi edhe Uashingtonin ku u takua me presidentin aktual Joe Biden.
“Diskutimet rreth një bashkëpunimi midis Polonisë dhe SHBA-së për vendosjen e armëve bërthamore kanë vazhduar për një kohë të gjatë”, tha Duda.
“Unë kam folur për këtë disa herë. Më duhet ta pranoj që kur u pyeta, u shpreha i gatshëm për t’i pritur ato”, shtoi presidenti polak.
Bëhet e ditur se presidenti rus, Vladimir Putin, që nga qershori i vitit 2023 ka dërguar armë taktike bërthamore në Bjellorusi e cila kufizohet me Ukrainën dhe Poloninë. /Telegrafi/
The post Polonia e gatshme, nëse NATO vendos t’i pozicionojë armët bërthamore “përballë Rusisë” first appeared on Radio Televizioni Iliria.