Pas tri ditësh bllokadë, fshati Banjskë sot është zhbllokuar. Në të është lejuar edhe hyrja e gazetarëve, të cilët patën mundësi të shohin gjurmët e luftimeve të së dielës, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
Prej kodrës afër Manastirit në Banjskë të Zveçanit shihet i gjithë fshati e matanë tij ndodhen rrugicat që çojnë për në Serbi.
Ky ishte pozicioni strategjik, nga ku grupi i serbëve të dyshuar për terrorizëm ka menduar t’i sulmojë zyrtarët policorë të Kosovës.
Policia e Kosovës të mërkurën, pasi fshati u zhbllokua për qarkullim, lejoi ekipet e mediave të kenë qasje në një pjesë të hapësirës, nga ku u kryen sulmet kundër saj.
Prej kësaj kodre ku ishte pozicionuar ky grup shiheshin qartë kamionët në urën e fshatit që ishin vendosur aty për ta bllokuar rrugën. Dera e kamionit me ngjyrë të verdhë ishte lënë qëllimshëm e hapur për t’ua lënë përshtypjen zyrtarëve policorë së bëhej fjalë për kontrabandë. Për shkak se lëvizjet e Policisë së Kosovës në ato momente po kontrolloheshin nga pjesa lart fshatit, dyshohet se ata u sulmuan nga një distancë prej rreth 500-600 metrash. Nga ky sulm u vra rreshteri Afrim Bunjaku, u plagos polici Alban Rashiti e mbeti i lënduar një tjetër zyrtar.
Brenda në Manastir nuk u lejuan mediat. Por zyrtarët policorë të përfshirë i thanë KOHËS që në brendësi të këtyre mureve të larta janë disa shtëpi, pronë e Manastirit. Në të gjitha pjesët e manastirit është gjetur armatim.
Rrethoja e manastirit, e cila është dëmtuar nga terroristët serbë për t’u larguar përmes një shtegu malor për në Serbi. Policia e Kosovës nuk i ka lejuar ekipet e gazetarëve që të kalojnë nga ky shteg meqë dyshohet së ata mbrapa kanë lënë mjete shpërthyese.
Një pjesë e madhe e grupit që ka sulmuar Policinë e Kosovës ka arritur të ikë për në Serbi e Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë të Kosovës për rajonin e veriut, ka thënë se qëllimi i Policisë në aksionin e Banjskës tri ditë më parë, nuk ishte vrasja e sulmuesve, por lirimi i territorit.
“Planifikimi nga policët në vendngjarje ka qenë shumë i mirë. S’kemi pas qëllim me i vra 30 vetë. S’kemi pas qëllim asnjë vrasje. Kemi pas qëllim ta lirojmë territorin tonë nga grupet kriminale. Nëse ka pasur të lënduar e viktima ishte pjesë e procesit. Konsiderojmë se e kemi arritur qëllimin tonë që me sa më pak dëme të arrijmë qëllimin”, ka thënë Elshani.
Ballë për ballë me muret e larta të Manastirit është kjo shtëpi që është shfrytëzuar nga nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq, dhe pjesa tjetër e grupit. Kjo faktohet nga pamjet me dron të Policisë së Kosovës. Gjurmët e luftimeve kanë mbetur edhe në ditën e katërt. Dëshmi janë gëzhojat e fishekëve.
Burimet i thanë KOHËS së vetëm në fillim të sulmit ky grup ka qëndruar në këtë pjesë, e me pas është zhvendosur brenda në hapësirën e Manastirit.
Shtëpitë e banorëve janë disa metra me poshtë, afër vendit ku ka ndodhur vrasja e policit Bunjaku.
Gjurmët e sulmit terrorist të së dielës janë edhe në disa nga shtëpitë e fshatarëve. Kjo shtëpi është krejt afër urës, ku është vrarë polici Afrim Bunjaku. Nga larg vërehet depërtimi i plumbave edhe në këtë shtëpi e shtëpi të tjera për rreth.