Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka zhvilluar sot një vizitë shtetërore në Letoni, në kuadër të turneut të vizitave në vendet baltike, transmeton Anadolu.
Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se Begaj zhvilloi fillimisht një takim kokë më kokë me homologun e tij Edgars Rinkevics.
“Presidenti Begaj shprehu përkushtimin e Shqipërisë për intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët dhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare. Për sa i përket marrëdhënieve ekonomike, presidentët e dy shteteve biseduam për rritjen dhe zgjerimin e tyre, duke përfshirë investimet direkte, turizmin, shkëmbimet tregtare, arsimin dhe kërkimin shkencor”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu thuhet se u propozua vendosja e një linje ajrore direkte të përhershme, e cila do të sjellë afrimin mes dy vendeve, rritjen e fluksit të shkëmbimeve dhe të turizmit.
Sipas njoftimit, Begaj vlerësoi mbështetjen e Letonisë përgjatë procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe u shpreh se Shqipëria shpreson për një rrugë të qartë dhe të shpejtë drejt anëtarësimit të plotë në Union.
“Zgjerimi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor u konsiderua në takim si një rrugëzgjidhje përballë influencave të palëve të treta të shtuara me agresionin rus në Ukrainë dhe si një mundësi për të nxitur stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm në rajon”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Më tej thuhet se presidenti Begaj shprehu mirënjohje ndaj Letonisë për kontributin në rajon, duke theksuar praninë e trupave në kuadër të KFOR-it dhe mbështetjen ndaj Kosovës për integrimin euroatlantik.
“Në takim u bisedua për sfidat e reja me të cilat Shqipëria dhe Letonia përballen si aleate në NATO dhe në këtë aspekt u theksua nevoja për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Shqipëria, u shpreh presidenti Begaj, mbetet në solidaritet me Letoninë me trupat e saj në batalionin shumëkombësh të NATO-s në Adazi”, theksohet në njoftim.
Presidenti i Shqipërisë, ka filluar një turne vizitash zyrtare në vendet baltike, ku përveç Letonisë, do të vizitojë edhe Estoninë dhe Lituaninë.
Në fokus të bisedimeve sipas Presidencës së Shqipërisë do të jetë intensifikimi i marrëdhënieve me secilin nga këto shtete si aleatë në NATO, integrimi i Shqipërisë në BE, proceset integruese euroatlantike të Ballkanit Perëndimor dhe çështje të tjera.