Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka dënuar vrasjen nga Izraeli të aktivistes turko-amerikane Aysenur Ezgi Eygi, e cila u vra dje nga forcat izraelite gjatë një proteste në Bregun Perëndimor të pushtuar, raporton Anadolu.
Duke folur në një ngjarje në Istanbul, Erdoğan tha se tani Izraeli synon të kryejë gjenocid si në Bregun Perëndimor ashtu edhe në Gaza, si dhe të pushtojë gjithashtu këto zona.
“Dje, ata (Izraeli) vranë mizorisht fëmijën tonë të vogël, Aysenur Ezgi Eygi. Deri më sot, ata kanë vrarë mbi 40 mijë civilë të pafajshëm, duke përfshirë 17 mijë fëmijë. Ata sulmojnë barbarisht dhe derdhin gjak pa dallim, qofshin fëmijë, gra, të rinj apo të moshuar”, tha Erdoğan.
Dje, Eygi u qëllua për vdekje nga forcat izraelite derisa po merrte pjesë në një protestë kundër zgjerimit të vendbanimeve në qytetin Beita, pranë Nablusit në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Guvernatori i Nablusit, Ghassan Daghlas, tha se një raport i autopsisë së Eygi-t konfirmoi se ajo u vra nga një plumb snajperi izraelit në kokë.
Presidenti turk theksoi se qëndrimi kundër terrorizmit shtetëror të Izraelit është një detyrë islame, por edhe çështje kombëtare.
Ai po ashtu theksoi se nisma e re diplomatike e Turqisë me Egjiptin synon të sjellë përfitime për Gazën dhe Palestinën.
21’inci İmam Hatipliler Kurultayı https://t.co/jcZh027df5
— Recep Tayyip Erdoğan (@RTErdogan) September 7, 2024