Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, kontaktet e tij diplomatike të cilat do t’i fillojë me vizitën e tij në Rusi në muajin shtator, do t’i vazhdojë me Samitin e Liderëve të G-20 dhe Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), raporton Anadolu.
Presidenti Erdoğan do të zhvillojë takime intensive diplomatike në shtator.
Rusia do të jetë stacioni i parë në muajin shtator i presidentit Erdoğan. Më 4 shtator Erdoğan do të takohet në qytetin Soçi të Rusisë me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
– Pika më e rëndësishme e rendit të ditës në takimin e Soçit është Korridori i Drithit
Pika më e rëndësishme e rendit të ditës në takimin e Erdoğanit me Putinin do të jetë Marrëveshja e Korridorit të Drithit në Detin e Zi nga e cila Rusia u tërhoq më 17 korrik. Dy liderët do të shkëmbejnë pikëpamjet lidhur me hapat që mund të hidhen për rizbatimin e sërishëm të marrëveshjes.
Në takimin ku do të diskutohen edhe zhvillimet e fundit në luftën Rusi-Ukrainë, do të trajtohen marrëdhëniet mes dy vendeve, kryesisht çështjet për energjinë, tregtinë, ekonominë dhe turizmin.
– Në samitet e G-20 dhe të OKB-së do të zhvillohen takime intensive dypalëshe
Presidenti Erdoğan në shtator do të përfaqësojë gjithashtu Turqinë në dy samite ndërkombëtare.
Për të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të G-20, Erdoğan do të shkojë në kryeqytetin e Indisë, New Delhi më 9-10 shtator. Në samitin që mbahet me temën “Një botë, një familje, një e ardhme” presidenti turk pritet të japë mesazhe lidhur me çështjet për hapat e zhvillimit të tregtisë globale, bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit dhe ndryshimin e klimës.
Më 17-21 shtator, Erdoğan do të marrë pjesë në Asamblenë e 78-të të Përgjithshme të OKB-së e cila do të mbahet në New York të SHBA-së.
Në kuadër të vizitës së tij në SHBA, Erdoğan do të mbajë një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme parashikohet që të fokusohet kryesisht në zhvillimet e fundit lidhur me luftën Rusi-Ukrainë, Sirinë, Palestinën dhe TRNC si dhe në çështjet për luftën kundër terrorizmit, problemin e emigrantëve dhe ndryshimin e klimës.
Presidenti Erdoğan, në kuadër të Samitit të Liderëve të G-20 dhe Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së do të zhvillojë shumë takime dypalëshe me krerë të shteteve dhe qeverive.