Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, i ka bërë thirrje SHBA-së që të gjejnë “terroristin” që sulmoi Shtëpinë Turke në New York dhe “të bëjnë atë që është e nevojshme”, raporton Anadolu.
“Në Evropë (grupi terrorist) PKK ka parë që gjërat po përkeqësohen, ata kanë filluar të sulmojnë votuesit. Për më tepër, ata kanë sulmuar Shtëpinë Turke në Amerikë, pikërisht përballë OKB-së në SHBA dhe thyen xhamat. Tani, a nuk do t’u themi autoriteteve amerikane dhe forcave të sigurisë se duhet ta gjeni shpejt këtë terrorist dhe duhet ta bëni atë që është e nevojshme”, tha presidenti Erdoğan në një ngjarje në Istanbul.
Shtëpia Turke, tha presidenti Erdoğan, u është besuar autoriteteve amerikane atje.
“Duhet ta gjeni këtë terrorist që theu xhamat e Shtëpisë Turke me levë”, tha ai.
Në fushatën e saj terroriste mbi 35-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja.
Gjithashtu edhe OKB-ja dënoi sulmin në selinë diplomatike turke në New York dhe bëri thirrje për një hetim.
“Ne e dënojmë atë sulm ndaj Shtëpisë Turke në New York dhe shpresojmë shumë që autoritetet lokale të gjejnë përgjegjësit”, tha për Anadolu Stephane Dujarric, zëdhënësi i shefit të OKB-së.
Shtëpia Turke në New York u sulmua gjatë natës në orët e para të ditës së sotme.
Konsulli i përgjithshëm në New York, Reyhan Özgür, për Anadolu tha se sulmuesi theu xhamat e ndërtesës në orën 03:14 të mëngjesit me orën lokale. Ai njoftoi se askush nuk u lëndua, por 12 dritare dhe dyert e ndërtesës u dëmtuan.
Ai tha se sulmuesi, i cili ende nuk është identifikuar, la një levë të vogël në vendngjarje.
Departamenti i Policisë në New York ka nisur një hetim për incidentin.
Özgür tha se incidenti nuk ka ndikuar në votimin në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të Turqisë për shtetasit turq në New York, të cilët aktualisht po japin votat e tyre në Shtëpinë Turke.
Footage shows the moment Turkish House (Turkevi) in New York, hosting Türkiye’s diplomatic missions was attacked in the early hours of Monday https://t.co/9PLoMDVdVO pic.twitter.com/2WZz6CQQe2
— ANADOLU AGENCY (@anadoluagency) May 22, 2023