Presidenti i Francës Emmanuel Macron bëri thirrje për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe shprehu mbështetjen e tij për propozimin e armëpushimit të presidentit amerikan Joe Biden “për paqe të qëndrueshme”, transmeton Anadolu.
“Lufta në Gaza duhet të përfundojë. Ne mbështesim propozimin e SHBA-së për një paqe të qëndrueshme. Ashtu siç po punojmë me partnerët tanë në rajon për paqen dhe sigurinë për të gjithë”, tha Macron në X në gjuhën arabe, hebraike dhe angleze.
“Lirimi i pengjeve, një armëpushim i përhershëm për të punuar drejt paqes dhe përparimit në zgjidhjen me dy shtete”, shtoi ai.
Biden tha më herët se Izraeli i ka paraqitur grupit të rezistencës palestineze, Hamasit, një marrëveshje trefazëshe që do t’i jepte fund armiqësive në Rripin e Gazës të rrethuar dhe do të siguronte lirimin e pengjeve të mbajtur në enklavën bregdetare.
Presidenti amerikan i bëri thirrje Hamasit që të pranojë marrëveshjen dhe i kërkoi kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të shmangë presionin nga anëtarët e koalicionit të tij qeverisës që janë kundër planit.
Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij brutale në Gaza që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, pavarësisht nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm.
Rreth 36.400 palestinezë janë vrarë që atëherë në Gaza, shumica dërrmuese gra dhe fëmijë, dhe mbi 82.000 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Gati tetë muaj pas fillimit të luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë shndërruar në rrënoja, krahas një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në vendimin e saj të fundit e urdhëroi atë të ndalonte menjëherë operacionin e tij në Rafah, ku mbi një milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se të pushtohej.