Presidenti i Algjerisë, Abdelmadjid Tebboune tha se Franca duhet të heqë kompleksin e kolonializmit dhe kompleksin se Algjeria është vend i kolonizuar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën me shkrim të Presidencës së Algjerisë thuhet se Tebboune për gazetën “Le Figaro” ka dhënë deklaratë lidhur me çështjet globale dhe rajonale, veçanërisht marrëdhëniet e vendit të tij me Francën.
Lidhur me marrëdhëniet Algjeri-Francë, Tebboune tha: “Franca duhet të heqë qafe kompleksin e saj kolonialist. Po kështu, Algjeria duhet ta heqë kompleksin si vend i kolonizuar”.
Ai e vlerësoi si një hap pozitiv rinisjen e dhënies së vizave nga Franca për qytetarët algjerianë.
Tebboune tha duhet të dihen arsyet e veprimeve të disa algjerianëve ekstremistë në Francë. “Ekstremizmi nuk e ka origjinën nga Algjeria dhe se Algjeria nuk është përgjegjëse për algjerianët ekstremistë që udhëtuan nga Franca në disa vende si Siria”, tha ai.
Sipas tij, Franca nuk kërkon të importojë më shumë gaz natyror nga Algjeria. Më tej Tebboune tha se gjuha franceze nuk do t’i imponohet popullit në Algjeri dhe se zgjedhja është në duart e familjeve algjeriane.
Ai i bëri thirrje Francës të pastrojë mbetjet e provës bërthamore të kryer në shkretëtirën e Saharasë. Tebboune tha se qeveria e Parisit duhet të kujdeset për algjerianët që u dëmtuan në rajonin ku u kryen eksperimentet.
Presidenti algjerian theksoi se në vitin 2023 do të zhvillojë vizitë zyrtare në Francë dhe se rritja e gjeneratës së re që do të shpëtojë marrëdhëniet mes dy vendeve varet nga vullneti i presidentit të Francës, Emmanuel Macron.
Zhvillimet rajonale
Duke iu referuar terrorit të vazhdueshëm në rajonin e Sahelit të Afrikës, Tebboune tha: “Unë nuk kam frikë nga terrori në Sahel sepse ne mund ta mposhtim atë. Është një situatë shumë e mjerueshme dhe nuk ka zgjidhje tjetër përveç zhvillimit ekonomik”.
Në lidhje me qëndrimin e Algjerisë në luftën Rusi-Ukrainë, Tebboune tha: “Unë nuk e mbështes operacionin e Rusisë në Ukrainë, por nuk gjykoj, sepse Algjeria është një vend neutral”.
Ai duke folur për politikën e OKB-së rreth aneksimit tha se OKB-ja nuk duhet të dënojë vetëm aneksimin e territoreve evropiane, por edhe “aneksimin e Lartësirave të Golanit dhe territoreve të Saharasë Perëndimore”.
Marrëdhëniet Algjeri-Marok
Duke u ndalur në marrëdhëniet e prishura mes Algjerisë dhe Marokut, Tebboune tha: “Ne i ndërpremë marrëdhëniet me Marokun si rezultat i përvojës që kemi pasur që nga viti 1963. Ndërprerja e marrëdhënieve me Marokun ishte alternativë ndaj luftës dhe ndërmjetësimi mes nesh nuk është i mundur”.
Ai tha se duartrokiti kombëtaren e Marokut për suksesin e saj në Kupën e Botës dhe se populli maroken përshëndeti suksesin e Algjerisë në Kupën e Afrikës. Tebboune shtoi se dëshironte të zhvillohej një ndeshje futbolli mes kombëtares së Algjerisë dhe Francës.