Presidenti finlandez Sauli Niinisto ka thënë se nuk beson se do të arrijë një marrëveshje me Turqinë para samitit të NATO-s në Spanjë javën e ardhshme dhe se nuk mendon se vendi i tij do të anëtarësohet në aleancë para shtatorit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë për televizionin shtetëror finlandez YLE, Niinisto iu referua rrjedhës së marrëdhënieve me Turqinë rreth anëtarësimit në NATO.
Duke theksuar se Turqia nuk ka bërë asnjë hap prapa në kërkesat e saj, ai tha:
“Megjithatë, është bërë përparim në negociatat dhe ato po vazhdojnë. Nuk besoj se do të arrijmë një marrëveshje me Turqinë në samitin e NATO-s që do të mbahet në Spanjë. Nuk mendoj se do të anëtarësohemi në NATO para shtatorit”.
Ministrja e Jashtme suedeze Ann Linde vlerësoi gjithashtu bisedimet e NATO-s midis Turqisë dhe Suedisë të zhvilluara dje në Bruksel, kryeqytetin e Belgjikës, në një deklaratë për agjencinë zyrtare të lajmeve të vendit TT.
Duke deklaruar se bisedimet ishin konstruktive, Linde tha:
“Ka pasur bisedime konstruktive dhe më e rëndësishmja është që bisedimet do të vazhdojnë”.
Ajo shtoi se janë të përgatitur që këto negociata të zgjasin shumë. /aa