Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka braktisur planet që të largohet më herët nga posti për shkak të frikës se kjo mund të çojë në marrjen e rolin nga kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.
Vendimi i tij vjen gjashtë ditë para një takimi të liderëve të BE-së ku Orbani pritet që sërish ta bllokojë pakon mbështetëse për Ukrainën prej 50 miliardë eurosh.
Liderët e BE-së po shqyrtojnë krijimin e një mekanizmi që do t’i hiqte Hungarisë të drejtën e votës, raportoi The Guardian.
Para tri javësh, Michel lajmëroi se do të shikonte mundësinë për një vend në Parlamentin Evropian.
Por, tani ai ka thënë se po e rimendon këtë pas reagimeve që ka nxitur.
Vendimi i Michelit ka nxitur spekulime se Orbani mundet aksidentalisht të bëhet president nga korriku nëse shtetet anëtare nuk do të jenë të afta ta gjejnë një pasardhës shpejt.
Nën rrethanat aktuale, liderët e institucioneve kryesore të BE-së vendosen pas zgjedhjeve evropiane në qershor. Procesi mund të zgjasë me muaj dhe sipas rregullave, vendi që mban presidencën e radhës gjashtëmujore merr postin në mungesë të një presidenti të zgjedhur.
Me Hungarinë që ka radhën ta marrë kryesimin për gjysmën e dytë të këtij viti, nënkuptohet se Orbani mund të merrte drejtimin më përpara.
Roli i presidentit përfshin kryesimin e takimeve të Këshillit Evropian dhe ndërmjetësimin e marrëveshjeve mes shteteve anëtare, duke përfshirë betejën aktuale për ta bërë Hungarinë ta mbështesë pakon e mbështetjes për Ukrainën. /koha