Presidenti i Kinës Xi Jinping këtë javë do të udhëtojë për vizitën e tij të parë jashtë vendit që nga shpërthimi i pandemisë së koronavirusit në fund të vitit 2019, transmeton Anadolu Agency (AA).
Hua Chunying, zëdhënëse e Ministrisë kineze të Puneve të Jashtme, konfirmoi sot se Xi do të marrë pjesë në takimin e 22-të të Këshillit të Krerëve të Shteteve të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) që mbahet nga e mërkura deri të premten në qytetin Samarkand në Uzebekistan.
Xi gjithashtu do të bëjë vizita shtetërore në Kazakistan dhe Uzbekistan me ftesë të presidentëve të dy shteteve të Azisë Qendrore, shtoi Hua.
Vizita jashtë shtetit e Xi do të jetë fokusi i vëzhguesve ndërkombëtarë pasi presidenti kinez e ka kufizuar veten që nga mbyllja e kufijve të detyruar nga pandemia në fillim të vitit 2020.
Ai bëri një udhëtim me tren në Hong Kong këtë qershor për 25-vjetorin e kthimit të rajonit gjysmautonom Kinës në vitin 1997.
Në samitin e SCO-së pritet të marrë pjesë edhe presidenti rus Vladimir Putin.
Nëse Xi dhe Putin takohen, ky do të jetë takimi i parë i ndërsjellë i dy liderëve që nga fillimi i luftës ruse në Ukrainë më 24 shkurt.
SCO, grupim shumëkombësh i tetë kombeve, duke përfshirë Kinën, Rusinë, Pakistanin, Kazakistanin, Kirgistanin, Taxhikistanin, Uzbekistanin dhe Indinë, do të pranojë Iranin si anëtarin e saj të ri.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan gjithashtu pritet të marrë pjesë në samit pasi Türkiye, përveç Azerbajxhanit, Kamboxhias, Nepalit, Sri Lankës dhe Armenisë, është një partner dialogu i SCO-së.