Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan përkujtoi sot 104-vjetorin e çlirimit të kryeqytetit të Azerbajxhanit, Baku, nga pushtimi armen dhe bolshevik, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Përkujtoj përvjetorin e çlirimit të Bakut, kryeqytetit të Azerbajxhanit mik dhe vëllazëror, i cili është pjesë e pandashme e jona, nga okupimi”, shkroi Erdoğan në Twitter.
“Sikurse në të kaluarën, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë vëllezërve tanë azerbajxhanas në luftën e tyre të drejtë”, shtoi ai.
Më 15 shtator 1918, një forcë elitare osmane – e quajtur Ushtria Islame Kaukaziane nën udhëheqjen e Nuri Pashës – u dërgua në Azerbajxhan në muajt e fundit të Luftës së Parë Botërore, menjëherë pas kërkesës së Azerbajxhanit drejtuar Perandorisë Osmane.
Së bashku me Ushtrinë Kombëtare të Azerbajxhanit dhe forcat vullnetare, Ushtria Islame Kaukaziane çliroi Bakun nga pushtimi armen dhe bolshevik.
Enver Pasha, në atë kohë ministër i luftës, i përcolli personalisht Perandorisë Osmane mesazhin se Baku u çlirua nga bandat armene.
Çlirimi i Bakut hapi rrugën për transferimin e kryeqytetit nga Ganja në Baku, duke siguruar integritetin territorial të Azerbajxhanit dhe duke vendosur bazat për kufijtë e tij bashkëkohorë.