Pretendohet se qeveria izraelite do të lejojë hyrjen e ndihmave humanitare nga deti në Rripin e Gazës, të cilin e ka bombarduar që nga 7 tetori dhe ka shkaktuar mungesë ushqimi, transmeton Anadolu.
Në lajmin e televizionit izraelit “Channel 13” thuhet se ishte planifikuar dërgimi i ndihmave humanitare nga vendet e Gjirit në Gaza përmes detit. Ndihma në fjalë do t’i dërgohej fillimisht Administratës Greke Qipriote të Qipros Jugore me anije dhe do të inspektohej atje nga zyrtarët izraelitë.
Pretendohet se qeveria izraelite do të lejonte që ndihmat, inspektimet e të cilave përfunduan, të silleshin me anije dhe të hynin në Gaza nga deti.
Thuhet se ndihmat, shpenzimet e transportit të të cilave do të mbulohen nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), do të nisen për në Qipron Jugore “në ditët në vijim” dhe se synohet të dërgohen në Gaza para Ramazanit.
Izraeli po e lë Gazën në mungesë ushqimi
OKB-ja kishte paralajmëruar se 2.2 milionë njerëz ishin në rrezik të urisë në Rripin e Gazës, i cili është nën sulme intensive nga Izraeli.
Sipas OKB-së, 378 mijë njerëz në Gaza përballen me urinë e nivelit 5, e cila quhet “katastrofike”, sipas shkallës së Klasifikimit të Fazës së Sigurisë Ushqimore të Integruar (IPC) dhe 939 mijë njerëz përballen me urinë e nivelit 4, e cila njihet si “emergjencë”.
Raportohet se palestinezët, veçanërisht ata që jetojnë në veri të Gazës, kanë filluar të bluajnë ushqimin e kafshëve, sepse nuk mund të gjejnë miell.
Izraeli ka shkaktuar “katastrofë të madhe humanitare” në rajon duke penguar hyrjen e ndihmave në Rripin e Gazës, ku po kryen sulme shkatërruese për rreth 5 muaj. “Politika e urisë” e Izraelit deri më tani ka çuar në vdekjen e 16 fëmijëve, më i vogli prej të cilëve është një foshnjë 14-ditëshe.