Pronarë të bizneseve të vogla të kryeqytetit kanë protestuar sot para ndërtesë së Komunës. Ata kanë kërkuar lejimin e shfrytëzimit të hapësirave publike.
“A ka drejtësi në këtë vend”, “Stop diskriminimit ndaj bizneseve të vogla”, “Neglizhenca e juaj detyrim për migrim ndaj neve”, kanë qenë disa nga pankartat që ata i mbanin në duar.
Përfaqësuesi i Shoqatës së bizneseve të vogla, Sadudin Hasani, tregoi për arsyen e kësaj proteste. Ai tha se kanë marrë edhe gjoba nga Inspektoriati.
“Qëllimi i protestës është për kushte më të mira në veprimtarinë në të cilën ne e ushtrojmë. Ne më herët kemi pas frigoriferë, na i ka largu komuna, na kanë udhëzuar të bëjmë kërkesë për leje dhe e kemi bërë atë kërkesë dhe nuk janë marrë për bazë ato kërkesa. Që një vit e kemi bërë këtë kërkesë”, tha Hasani, teksa shtoi se janë dëmtuar tej mase.
“Na kanë dëmtuar tej mase, duke e ditë që biznesi kryesor gjatë verës e ka pijen. Nuk kemi pas diçka jashtëligjshme por gjitha produktet vendore”, tha ai, teksa shtoi se protestën do ta vazhdojnë deri në plotësimin e kushteve të tyre.
Enver Gashi nënkryetar i Shoqatës, tha se janë dëmtuar shumë si shkak i moslejimit të shfrytëzimit të hapësirave, raporton EO.
“Unë më shumë kam dal me mbrojtur këtë, mos me lejuar që rinia me dal jashtë. Nëse nuk na mundësojnë me punuar dhe me i mbajt fëmijët këtu, le të vijnë dhe t’i largojnë, rrugën hapur e kanë. 60 për qind na ka dëmtuar si biznese”, tha ai.