Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka diskutuar me presidentin e Kinës, Xi Jinping, marrëdhëniet dypalëshe dhe situatën në Palestinë dhe Ukrainë, transmeton Anadolu.
Në një njoftim nga Pallati i Kremlinit thuhet se Putin dhe Jinping zhvilluan një bisedë telefonike.
Në njoftim thuhet se në bisedë u diskutuan marrëdhëniet mes Rusisë dhe Kinës, si dhe u theksua edhe një herë se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mes dy vendeve janë në një nivel të pavërejtur më parë dhe se është mirëpritur që vëllimi tregtar dypalësh ka arritur në nivel rekord në 227.7 miliard dollarë, duke tejkaluar objektivin 200 miliard dollarë të përcaktuar një vit më parë nga dy liderët.
Më tej, theksohet se në bisedë është arritur konsensus reciprok për zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh, përfshirë edhe fushat si energjia, financa, infrastruktura, industria dhe bujqësia.
“Që të dy palët konfirmuan se janë të gatshëm për të rritur bashkëveprimin në politikën e jashtme në kuadër të strukturave shumëpalëshe, kryesisht të Kombeve të Bashkuara (OKB), BRICS dhe Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu njoftohet se në bisedën mes Putin dhe Jinping u konsultuan zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe u theksua se qasjet e Rusisë dhe Kinës në drejtim të zgjidhjes politike dhe diplomatike të çështjes së Palestinës në kuadrin e kornizës së ligjit të pranuar ndërkombëtar përputhen plotësisht.
Kremlini theksoi se Putin ka përsëritur mbështetjen e tij për politikën “një Kinë e vetme” për çështjen e Tajvanit dhe se ai ka biseduar edhe për çështjen e Ukrainës.