RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Putin: Rusia është e gatshme për bisedime të paqes me Ukrainën në çdo kohë dhe vend

putin:-rusia-eshte-e-gatshme-per-bisedime-te-paqes-me-ukrainen-ne-cdo-kohe-dhe-vend

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se Moska është e gatshme për bisedime të paqes me Ukrainën në çdo kohë dhe vend, transmeton Anadolu.

Duke folur në një konferencë për media në kryeqytetin Hanoi të Vietnamit, që u transmetua drejtpërdrejtë nga Kremlini, Putin tha se pret që Perëndimi të kundërshtojë nismën e tij për paqen në Ukrainë.

Putin vuri në pikëpyetje pse propozimi i Rusisë u quajt “jo realist” dhe pse askush nuk kritikoi në të njëjtën mënyrë “ultimatumin” e Ukrainës që, sipas tij, përmban kushte të papranueshme për Moskën.

Presidenti rus tha se politikanët e arsyeshëm do të mendojnë për propozimin e Rusisë për Ukrainën nëse duan t’i japin fund konfliktit, si dhe paralajmëroi se kushtet mund të ndryshojnë në varësi të situatës në fushën e betejës.

Në të njëjtën kohë, theksoi ai, nëse Kievi e lidh fillimin e negociatave të paqes me tërheqjen e forcave ruse nga Ukraina, atëherë bisedimet nuk do të ndodhin kurrë.

Në lidhje me legjitimitetin e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, Putin tha se pret që ai të zëvendësohet nga Perëndimi në gjysmën e parë të vitit 2025.

Duke komentuar deklaratat e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, për vënien në gatishmëri të forcave bërthamore të aleancës, Putin tha se Rusia po monitoron nga afër synimet e tilla dhe do të përgjigjet në mënyrë adekuate nëse ndodh diçka.

Presidenti rus theksoi gjithashtu se autoritetet e vendit po mendojnë për ndryshime në doktrinën bërthamore, sepse “kundërshtarët” ulën pragun për përdorimin e armëve bërthamore.

I pyetur nëse Moska planifikon të përfshijë një sulm bërthamor parandalues në edicionin e ri të doktrinës, Putin tha se “nuk ka nevojë”, duke shpjeguar më tej se forcat ruse janë të afta të zmbrapsin sulmin e kundërshtarit “në kundërsulm”.

Related posts

BeH, Qendra Memoriale në Potoçari do t’i ruajë eshtrat e viktimave të panjohura

admin

VIDEO/ Përplasen ‘kokë më kokë’ dy avionë gjatë stërvitjes, ndërron jetë njëri prej pilotëve. Ja si ndodhi aksidenti ajror

admin

73 gazetarë palestinezë të vrarë nga ushtria izraelite në Gaza që nga 7 tetori

admin6