Qeveria ende nuk ka një datë se kur do nis me procesin e hapjes së urës së Ibrit për lëvizjen e lirë të automjeteve. Në anën tjetër analisti politik, Branislav Kërstiq i ka bërë thirrje serbëve në veri që të mos ndikohen nga Lista Serbe për ta kundërshtuar hapjen e urës.
Të premten kryeministri Kurti priti në qeveri përfaqësuesit e kompanisë “Ipe-Proing” e cila ka testuar qëndrueshmërinë e Urës së Ibrit.
Në komunikatën e ekzekutivit thuhet që nga rezultatet e matjeve është konkluduar se struktura e urës siguron kapacitetin e aftësisë mbajtëse dhe si e tillë mund të përdorët për shfrytëzim pa asnjë kufizim në ngarkesë.
Por, ani pse raporti i ka dhënë dritën e gjelbër, ekzekutivi nuk ka treguar kur do të hapet ura.
Kundër lirimit të urës për qarkullim të automjeteve janë shprehur ndërkombëtarët gjatë tërë javës.
Sipas tyre hapja e urës mund të nxis tensione në mesin e komunitetit serb.
Por analisti politik, Branislav Kërstiq, i cili jeton në Mitrovicën e Veriut thotë se ka ardhur që kjo urë të hapët tërësisht.
Ai thotë se qytetarët serbë në veri nuk duhet t’i dëgjojnë thirrjet e Listës Serbe, që e kundërshtojnë hapjen e urës.
“ E ardhmja e komuniteti serb është në këtë shtet dhe duhet ta kuptojmë këtë gjë. Për fat të keq Serbia dhe Lista Serbe kurrë nuk e kuptuan këtë realitet në shtetin e Kosovës prandaj qytetarët tash janë në një depresion kolektiv”, tha Kërstiq.
Tutje, Kërstiq thotë se disa qytetarë serbë janë duke keqkuptuar çështjen e hapjes së urës.
“Ekziston një mendim këtu se me hapjen e urës qeveria ne Prishtinë ka për synim okupimin e pjesës veriore gjë që nuk është e mundshme brenda një shteti sovran. Mirëpo disa veprime të qeverisë në pjesën veriore të vendin janë për tu kritikuar”, tha ai për tëvë1.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka paralajmëruar se nuk do të hezitojë të veprojë për t’iu përgjigjur zhvillimeve të lidhura me sigurinë, dhe që secili vendim për urën duhet të merret përmes dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga blloku evropian. /teve1