RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Qeveria: Kosova përmbushi obligimin e saj, BE-ja t’i heqë masat e padrejta

qeveria:-kosova-permbushi-obligimin-e-saj,-be-ja-t’i-heqe-masat-e-padrejta

Qeveria ka vlerësuar se Kosova me organizimin e procesit të votimit për shkarkimin e kryetarëve në veri i ka përmbushur obligimet e saj dhe ka kërkuar nga Bashkimi Evropian (BE) që t’i heqë masat e vendosura ndaj Kosovës.

Në një deklaratë të Qeverisë thuhet se pavarësisht rezultatit obligimi që ka pasur Kosova është përmbushur.

“Me përfundimin e këtij procesi, pa marrë parasysh rezultatin, Republika e Kosovës ka përmbushur obligimin e saj ndaj qytetarëve të saj dhe përgjegjësinë e marrë nga dakordimi me Bashkimin Evropian për deeskalimin e situatës në veri të vendit. Andaj, pas votimit të djeshëm, është koha që masat e padrejta ndaj Kosovës përfundimisht të largohen”, thuhet në deklaratën e Qeverisë.

Sipas tyre rezultatet e votimit të së dielës tregojnë se nuk ka vullnet për shkarkim të kryetarëve.
“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh keqardhje për pjesëmarrjen e ulët në votimin e djeshëm dhe falënderon ata të cilët ushtruan të drejtën e tyre demokratike dhe ligjore. Jemi të vetëdijshëm ndaj rrethanave në katër komunat në veri të Kosovës, sidomos trysnisë së madhe të ushtruar nga autoritetet e Beogradit ndaj qytetarëve serbë të Kosovës në këto komuna. Rezultatet e votimit të djeshëm tregojnë që nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktualë”, thuhet në deklaratë.

Qeveria ka fajësuar Listën Serbe për bojkot të procesit.

“Rikujtojmë se ky proces ishte nxitur nga kërkesa e vazhdueshme për zgjedhje të reja në këto komuna, duke marrë shkas mungesën e legjitimitetit të plotë të kryetarëve aktualë pas daljes së ulët të qytetarëve në zgjedhjet e 23 prillit 2023. Ai filloi me grumbullimin e nënshkrimeve të 20% të nevojshme të qytetarëve me të drejtë vote. Megjithatë, Lista Serbe që fillimisht ishte shkaktare e zgjedhjeve të 23 prillit përmes dorëheqjes së kryetarëve të saj, e pastaj iniciuese e votimit të djeshëm, përsëri bojkotoi procese demokratike, përkundër thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar dhe interesit qytetar”, thuhet në deklaratë.

Ndërkohë që ka shprehur gatishmërinë për mbështetje të kryetarëve.

“Me këtë rast, Qeveria e Republikës së Kosovës, shpreh edhe një herë mbështetjen dhe gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin-Potokut dhe Leposaviqit në përmbushjen e përgjegjësive të tyre dhe shërbimin ndaj qytetarëve të këtyre katër komunave, pa dallim”, thuhet në deklaratë.

Të dielën në veri katër komunat në veri, Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin-Potok është organizuar votimi për shkarkimin e kryetarëve. Por nisma e qytetarëve serbë ka dështuar.

Për shkarkim nevojitej vota pro e 50 për qind e trupës elektorale të një komune, plus një votë, por në fund të ditës mezi u mblodhën 250 vota në të katër komunat.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në Mitrovicë të Veriut kanë votuar 111 persona me të drejtë vote, në Leposaviq 124, në Zubin-Potok 18 dhe në Zveçan asnjë.

Related posts

“Jemi të hapur për dialog mbi Ukrainën”- Deklarata e Putinit në prag të vizitës në Kinë: Bisedimet duhet të marrin parasysh…

admin

Balotazhi presidencial në Turqi, çfarë duhet të dini

admin

Ligji për çmimin e barnave ende s’ka nisur të zbatohet

admin