Kryeministri Edi Rama reagoi të mërkuren në rrjetet sociale pas deklaratave të ministres së Brendshme britanike.
Rama deklaroi se “Britania e Madhe duhet të luftojë bandat kriminale të të gjitha kombësive dhe të ndalojë diskriminimin e shqiptarëve për të justifikuar dështimet e politikave të saj”.
Kryeministri u shpreh se “Shqipëria nuk është një vend i pasur dhe ka qenë për një kohë shumë të gjatë viktimë e perandorive, nuk kemi pasur kurrë një tonën”.
“Ne kemi për detyrë të luftojmë krimin në vend dhe këtë po e bëjmë me vendosmëri, ndërsa bashkëpunojmë ngushtë edhe me të tjerët. Gati për të punuar më ngushtë me Britaninë e Madhe, por faktet janë të rëndësishme. Po kështu edhe respekti i ndërsjellë”, shkruan Kryeministri.
Rama theksoi se “Shqipëria është një vend i NATO-s dhe po negocion anëtarësimin e saj në BE”.
“Është gjithashtu një vend i sigurt origjine. Kur Gjermania pati një problem të ngjashëm, ajo shtrëngoi sistemet e veta. Britania e Madhe mund dhe duhet të bëjë të njëjtën gjë, duke mos u përgjigjur me një retorikë krimi që përfundon duke dënuar të pafajshmit”, u shpreh ai.
Kryeministri kujtoi se 70% e 140 000 shqiptarëve që janë shpërngulur në Britaninë e Madhe jetonin në Itali dhe Greqi.
“1 200 prej tyre janë njerëz të biznesit. Shqiptarët në Britaninë e Madhe punojnë shumë dhe paguajnë taksa. Britania e Madhe duhet të luftojë bandat e krimit të të gjitha kombësive dhe të ndalojë diskriminimin e shqiptarëve për të justifikuar dështimet e politikave. Vënia në shënjestër e shqiptarëve (siç bënë disa me turp kur luftuan për Brexit) si shkaku i krimit dhe problemeve kufitare të Britanisë së Madhe e bën retorikën të lehtë, por injoron faktet e vështira. Të përsërisësh të njëjtat gjëra dhe të presësh rezultate të ndryshme është çmenduri (pyesni Ajnshtajnin!)”, shkruan Rama. /atsh