Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar në lidhje me çështjen e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Alfred Beleri, cili ndodhet në paraburgim dhe mbi reagimet dhe qëndrimet e zyrtarëve grekë për këtë çështje, duke theksuar se “ky politizim i një çështjeje të drejtësisë shqiptare, mund t’i shkonte skenarit të një filmi sarkastik”, transmeton Anadolu.
Në reagimin e tij të publikuar në rrjetet sociale, Rama thekson se Shqipëria e sotme është një vend evropian me një legjislacion të ri shembullor për të gjitha minoritetet, ku sipas tij minoriteti grek gëzon liri e të drejta të njëjta me bashkësinë shqiptare.
Në lidhje me protestën që u zhvillua më 14 gusht në Himarë në mbështetje të Belerit, ku morën pjesë edhe zyrtarë grekë, Rama thekson se “Në memorien time nuk ka një rast tjetër, kur të zgjedhurit e një shteti demokratik organizojnë protestë në një shtet tjetër demokratik, kundër autoriteteve të këtij shteti. Jo vetëm kaq, po ku ata shfaqen si protestues kundër vendimeve të gjykatave përkatëse të shtetit në të cilin protestojnë, duke e absolutizuar përkatësinë etnike të subjektit të protestës mbi çdo normë juridike, standard ligjor e logjikë demokratike”.
“Unë nuk kam ndërmend ta fsheh në këto radhë as kënaqësinë për progresin e jashtëzakonshëm, që së bashku me kryeministrin grek (Kyriakos Mitsotakis) kemi bërë në vitet e fundit. Por s’kam se si e fsheh edhe keqardhjen e madhe, përballë shfaqjes surreale të ndërhyrjes së palës greke në një çështje të drejtësisë shqiptare”, shkruan Rama, duke theksuar se është jo vetëm shumë i keqardhur, por edhe seriozisht i shqetësuar.
Çështja ndaj Alfred Belerit
Më 12 maj, Policia e Shqipërisë arrestoi kandidatin e disa partive opozitare për kryetar të Bashkisë Himarë, në Qarkun e Vlorës, Alfred Beleri, së bashku me një person tjetër, të akuzuar për veprën penale “korrupsioni aktiv në zgjedhje”.
Pas përfundimit të numërimit të votave pas zgjedhjeve vendore të 14 majit, Beleri rezultoi fitues.
Sipas autoriteteve shqiptare, Beleri, i cili ndodhet në paraburgim, dyshohet për përfshirje në aktivitete të blerjes së votave.
Arrestimi i Belerit, i cili njihet si anëtar i minoritetit grek në Shqipëri, ka shkaktuar reagime të partive politike dhe të zyrtarëve të institucioneve të ndryshme në Shqipëri dhe në Greqi.