Një raport mjeko-ligjor i marrë nga Anadolu Agency shpalosi detaje të reja për vdekjen e aktivistes turko-amerikane Aysenur Ezgi Eygi, e cila u vra nga ushtria izraelite më 6 shtator në Bregun Perëndimor.
Eygi, 26 vjeçe, ishte duke marrë pjesë në një protestë paqësore në malin Abu Sbeih në Beita, Nablus, kur u qëllua në kokë nga forcat ushtarake izraelite, sipas një raporti të ministrisë së Drejtësisë së Palestinës. Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Universitetin Kombëtar An-Najah, Rayyan Al-Ali kreu një ekzaminim paraprak të jashtëm në Spitalin Kirurgjik Rafidia në emër të Zyrës së Prokurorit Publik të Nablusit.
Eygi është transportuar në spital me autoambulancë të premten në orën 14:06. Me të mbërritur ajo ishte pa shenja vitale, në arrest kardiak me bebëza të zgjeruara dhe të fiksuara.
Nga ekzaminimi paraprak u konstatua një “plagë hyrëse me armë zjarri në anën e majtë të kokës, pas veshit të majtë, me ind truri të dalë nëpër plagë”.
“Përkundër intubimit të menjëhershëm endotrakeal dhe ringjalljen kardiopulmonare, ajo u shpall e vdekur në orën 14:35”, thuhet në njoftim.
Një skanim pa kontrast tregoi një plagë depërtuese me armë zjarri përmes anës së majtë të pasme të trurit, që përfshin trurin e vogël, palcën e zgjatur dhe bazën e kafkës, “pa plagë dalëse apo fragmente”.
Plumbi shkaktoi më tej “fragmente të shumta që shkaktojnë çarje dhe kontuzion të rastësishëm në tru, hemorragji subaraknoidale, hematoma subdurale dhe pneumokranium”.
Trupi më pas u transferua në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Universitetin Kombëtar An-Najah për ekzaminim dhe autopsi të mëtejshme.
Raporti tregoi se Eygi ishte në gjendje të mirë ushqyese dhe muskulare.
“Mavijosjet në anën e majtë të ballit dhe në anën e syrit të majtë ishin tregues i një traume në përputhje me goditjen në tokë në kohën kur ajo u godit. Gjaku u vu re në qepallën e sipërme të syrit të djathtë dhe nga veshi i majtë që tregon thyerje të kafkës”, thuhet në raport.
Raporti mjekoligjor ia atribuoi vdekjen e saj “hemorragjisë, edemës dhe këputjes së indit të trurit të shkaktuar nga një plagë depërtuese me armë zjarri”.
Në raport thuhej se “plumbi e ka goditur drejtpërdrejt, në vijë të drejtë, nga e majta në të djathtë të kokës”.
Presidenti amerikan Joe Biden e quajti “aksident” gjuajtjen e një snajperi izraelit në Bregun Perëndimor të pushtuar.
“Natyrisht që ishte një aksident — u hodh nga toka dhe u godit aksidentalisht. Unë po merrem me këtë tani”, u tha Biden gazetarëve të martën.
Ushtria izraelite tha se ishte “shumë e mundshme” që Eygi të ishte goditur “indirekt dhe pa dashje” nga zjarri izraelit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se vrasja e Eygit nga Izraeli ishte “e paprovokuar dhe e pajustifikuar” dhe ishte “e papranueshme”.
Eygi ka lindur në qytetin turk të Antalyas në vitin 1998. Ajo u diplomua në qershor në Universitetin e Uashingtonit, ku studioi psikologji dhe gjuhë dhe kultura të Lindjes së Mesme.
Ajo ishte e përfshirë në mënyrë aktive në lëvizjet e solidaritetit në mbështetje të të drejtave palestineze. Vdekja e saj ngjalli zemërim dhe thirrje për përgjegjësi si nga komunitetet lokale ashtu edhe ato ndërkombëtare.