Meshkujt dhe femrat që vuajnë nga migrena janë më të rrezikuar nga goditjet e zakonshme në tru. Të dhënat vijnë nga një studim i fundit, sipas së cilit femrat kanë një rrezik më të lartë për t’u prekur nga ataku në zemër dhe goditjet hemorragjike (gjakderdhje në tru ose rreth tij).
Sipas asaj që shkruan The Independent, njerëzit e diagnostikuar me migrenë besohet se kanë një rrezik më të lartë për të pësuar atak në zemër apo goditje në tru, përpara moshës 60-vjeçare.Punë të mëparshme kërkimore tregonin për një rrezik më të shtuar për goditje ishemike, të cilat ndodhin kur mpiksja e gjakut bllokon enët e gjakut për të furnizuar trurin, e që prekin kryesisht femrat e reja në moshë.
Megjithatë nuk ishte e qartë nëse femrat që vuajnë nga migrena kanë gjithashtu rrezik më të lartë për të pësuar atak në zemër apo goditje hemorragjike, krahasuar me meshkujt.
Ekspertët në Danimarkë, që ndërmorën këtë punë të re kërkimore, analizuan të dhënat mjekësore nga viti 1996 deri në 2018-n, të pacientëve nga mosha 18 deri në 60 vjeç.
Ata identifikuan meshkujt dhe femrat që kishin histori migrene dhe krahasuan rrezikun të një ataku në zemër dhe të goditjeve ishemike e hemorragjike, përpara moshës 60-vjeçare, me rrezikun që përballen zakonisht njerëzit që nuk vuajnë nga migrena.
Eskpertja Hvitfeldt Fuglsang, e cila drejtoi studimin, tha se ajo që u vu re ishte se migrena lidhej me një rrezik të shtuar të goditjeve ishemike te meshkujt dhe femrat e reja në moshë.
“Megjithatë, migrena mund të lidhet edhe me rrezik të shtuar të infarktit të miokardit dhe goditjes hemorragjike vetëm tek femrat”, tha ekspertja.
Të dhënat tregojnë se si meshkujt ashtu dhe femrat që vuajnë nga migrena kanë një rrezik të shtuar, të goditjes ishemike. Megjithatë, femrat me migrenë mund të bartin po ashtu një rrezik me të shtuar të atakut në zemër dhe goditjes hemorragjike, krahasuar me meshkujt dhe popullatën në përgjithësi.
Sipas studimeve, femrat janë përgjithësisht më të prekura nga migrena, kryesisht pasi kjo gjendje diagnostikohet në mënyrë dominuese tek ato.