RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

​Rritet numri i grave që kryejnë aborte

​rritet-numri-i-grave-qe-kryejne-aborte

Numri i grave që kryejnë abort me vetë-dëshirë ka shënuar rritje për më shumë se 10 raste në shtatë mujorin e parë të vitit 2023, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Në Klinikën e Gjinekologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), deri në gjysmën e gushtit të këtij viti, 71 gra kanë kryer abort me vetë-dëshirë. Gjinekologët dhe psikologët vlerësojnë se aborti shkakton dëme shëndetësore dhe psikologjike. Ndërkaq, sociologët listojnë disa faktorë që mund ta shtyjnë një grua të kryej abort.

Drejtori i Klinikës Gjinekologjike në QKUK, Zef Ndrejaj për KP tha se aborti nuk duhet të përdoret si mjet kontraceptiv, për shkak se ka shumë dëme dhe pasoja, derisa shtoi se këtë vit ka një rritje të lehtë të rasteve që kryejnë abort artificial.

“Numri i aborteve gjatë vitit 2023, deri më tani është gjithsej 71, nëse flasim për abortet artificiale, pra që kryhen me vetë dëshirë, por nëse e marrim numrin e përgjithshëm edhe të aborteve që kryhen për shkak të shkaqeve mjekësore, atëherë numri është edhe më i madh, pra janë shifra edhe më të mëdha, që nuk i kemi. Për periudhën e njëjtë të abortit artificiale nuk kemi shumë rritje, është rritje e vogël, diku një numër prej dhjetë rasteve më shumë këtë vit… Është mirë që aborti te çiftet e reja, ose te çiftet e bashkëshortësisë që janë të mos përdoret aborti si mjet kontraceptiv, për shkak se ka shumë dëme dhe pasoja. Dëmet janë prej më të ndryshmeve, gjatë intervenimit mund të jetë ndonjë dëmtim i organeve gjenitale, gjakderdhja”, tha Ndrejaj.

Po ashtu, edhe psikologu klinik, Imri Zabeli vlerëson se aborti ndikon negativisht në shëndetin mendor, ndërsa tregon se mund të shkaktojë depresion dhe ankth.

“Aborti është një ngjarje me ndikim në shëndetin mendor të nënës. Simptomat më të zakonshme të cilat i hasim tek pacientët pas abortit janë simptoma të çrregullimi të ankthit dhe depresionit. Pastaj janë ulje e vetëbesimit, vetëvlerësimit, ndjenja e zbrazëtisë. Po ashtu, ka tendencë të çrregullimit të stresit post-traumatik, gjegjësisht të mendimeve rekurente, të kujtesës traumatike. Po ashtu, aborti ka tendencë që të ndikojë edhe në relacionet me partnerin, bashkëshortin apo edhe familjen. Marrë parasysh që një nënë mund të mendojë se nuk ka qenë e përkrahur sa duhet për atë gjendje pas abortit, si dhe ndjenjës me realizimin e abortit ka bërë një veprim kundër vlerave morale dhe fetare”, theksoi Zabeli.

Ndërkaq, sociologu Genc Xërxa liston disa faktorë që mund të ndikojnë për t’u kryer një abort.

“Nëna përzgjedh për shkak të kostos së rritjes së një fëmije, pra duke e ditur që nuk ka të ardhura të mjaftueshme për ta përkrahur dhe rritur një fëmijë, mund të vije deri tek aborti. Në aspektin kohor zakonisht kemi të bëjmë me shtatzëni jo të planifikuara, ku nëna mund ta ndiejë vetën se është shumë e vjetër apo e re, mund të themi se është në moshë të mitur apo është e zënë duke investuar, duke vazhduar jetën e saj profesionale, në zhvillimin e karrierës.

Pastaj, mund të ndodhin prej dhunimeve të ndryshme apo incesteve në disa raste siç është e shprehur në vendet perëndimore. Tek çështja shëndetësore aspekti primar kryesor, është shëndeti i nënës, por në disa raste kur cenohet kur nëna, ka probleme të ndryshme shëndetësore gjatë shtatzënisë heqin dorë nga ai fryt”, u shpreh Xërxa.

Ligji për Ndërprerjen e Shtatzënisë në Kosovë është miratuar më 6 nëntor të vitit 2008, dhe ka hyrë në fuqi në janar të vitit 2009, që e përcakton se çdo abort mbi javën e dhjetë mund të kryhet vetëm me pëlqimin e Komisionit Profesional Shëndetësor, që përbëhet prej tre profesionistëve: dy gjinekologë obstetër dhe një psikiatër.

Related posts

Ministria e Financave dhe USAID krijojnë sistemin elektronik të faturave

admin

Edhe një medalje olimpike për Kosovën, Laura Fazliu e bronztë

admin

Kurti e Blinken pajtohen për komunikim të dendur në funksion të paqes

admin