Në Bruksel, javën e ardhshme mund të mbahet rundi i ri i dialogut në nivel të kryenegociatorëve, Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviq – raportime këto që ende nuk janë konfirmuar.
Siç raporton agjencia shtetërore serbe e lajmeve “Tanjug”, takimi është caktuar për të martën e javës së ardhshme (17 shtator).
Më tej sipas mediumit, pretendohet se Kosova e ka refuzuar takimin trepalësh.
Ndryshe, ka një vit që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk janë ulur përballë njëri-tjetrit, ndonëse pro bisedimeve shprehen të dy.
Ata janë takuar për herë të fundit më 14 shtator të vitit 2023.
Dhjetë ditë pas atij takimi ka ndodhur sulmi i armatosur në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh kanë vrarë një polic të Kosovës.
Një përpjekje e Bashkimit Evropian për t’i ulur bashkë në tryezë, në muajin qershor, ka dështuar, për shkak të, siç është thënë, disa kushteve që ka nxjerrë Kurti, e që Vuçiq i ka kundërshtuar.
Kryeministri u pyet për një mundësi të tillë edhe nga gazetarët, gjatë një vizite në Mitrovicë të Veriut më 10 shtator, por tha se “nuk e di nëse do të ketë takim”.
“Edhe nëse do të ketë, nuk e di se kur dhe cilat do të jenë temat. Duhet të dimë më shumë për të dhënë një përgjigje”, tha Kurti, raporton rel.
Në të njëjtën ditë në Beograd, Vuçiq u tha gazetarëve se “Serbia është gjithmonë për dialog” dhe u shpreh “i gatshëm të shkojë të bisedojë me Kurtin që sot”.
BE-ja vazhdimisht u kërkon atyre që çështjet e hapura t’i zgjidhin me dialog.
Përderisa një takim i ri mes Kurtit e Vuçiqit nuk duket në horizont, Lajçak tha javën e kaluar se është arritur pajtim për një rund të ri bisedimesh midis kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, por datë specifike nuk dha.
The post Rundi i ri i dialogut, media serbe raporton se të martën vazhdojnë takimet në Bruksel first appeared on Radio Televizioni Iliria.